Friday, July 18, 2014

Nis projekti i qyteteve miqësore për personat LGBT



17 Korrik 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri zhvilloi sot trajnimin e parë me tematike  LGBT me përfaqësues të lartë të gjashtë Bashkive të vendit. Drejtues të sektorëve kyçë, nga Bashkitë Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Shkodër si dhe përfaqësues nga zyra e Avokatit të Popullit (AP) dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) ishin të pranishëm në trajnim. 

Copyright: PINK Embassy 2014
Ky aktivitet, është i pari në kuadër të Projektit “Përmirësimi i jetës së personave LGBT në nivel lokal” implementuar nga Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me AP dhe KMD dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian. Projekti synon të risë njohuritë e punonjësve të Bashkive, OJF-ve, mediave, shkollave dhe institucioneve të tjera në gjashtë qytetet e sipërpërmendura, me synim rritjen e ndërgjegjësimit të vetë institucioneve mbi këtë çështje por edhe integrimin e tematikës LGBT përtej Tiranës. 

Ekspertët e Bashkive, të cilët vinin me një eksperiencë të gjatë dhe të vyer në punët me komunitetet e ndryshme në nevojë dhe grupet e ndryshme sociale, morën njohuri të detajuara mbi përkufizimet LGBT, problematikat, dhe çështjet të tilla si çështjet gjinore, heteronormativiteti, interseksionaliteti, fjalimet dhe krimet e urrejtjes, ligji anti-diskriminim, shembuj pozitive etj. 

Vetë ekspertët dhanë një kontribut të çmuar në realizimin e trajnimit, me njohuritë e tyre. Në vlerësimin e tyre ata gjykuan se trajnime dhe aktivitete ndërgjegjësuese me temën LGBT duhet të bëhen me sa më shumë punonjës të administratës publike dhe me një pjesëmarrje më të gjerë nga grupe të ndryshme interesi. Ata gjithashtu vlerësuan synimin e këtij projekti për të realizuar fushata ndërgjegjësuese, leksione dhe prezantime me grupe të ndryshme nga të gjashtë qytetet që janë përfituese të projektit. 

Gjatë 12 muajve të fundit, Ambasada PINK realizoi takime pune me Kryetarët dhe nën-Kryetarët e Bashkive Durrës, Elbasan, Korçë, Tiranë, Vlorë dhe Shkodër dhe gjeti mbështetjen e tyre maksimale për të nisur me prezantimin dhe njohjen e kësaj çështje edhe në nivel vendor. 

Pjesë e këtij projekti është edhe realizimi i studimeve mbi situatën e diskriminimit dhe bulizmit në shkollat e mesme dhe zhvillimi i trajnimeve me mësues dhe psikologë nga shkollat e qyteteve përfituese.

No comments:

Post a Comment