Monday, February 16, 2015

Kodi Penal në Shqipëri të shmangë diskriminimin e personave LGBTI


 
Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në mbrojtjen ligjore dhe avancimin e të drejtave të personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks. Por, reminishenca të legjislacionit të kohës së komunizmit vazhdojnë të gjenden në nenet e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Nene të caktuara të tij vazhdojnë të cënojnë dinjitetin dhe integritetin e personave LGBTI dhe diskriminojnë qytetarët mbi baza të gjinisë dhe orientimit seksual.

Në mos-përputhje me Kushtetutën e vendit, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Konventat Ndërkombëtare të nënshkruara nga Shqipëria këto nene vazhdojnë të dënojnë homoseksualizmin dhe ta evidentojnë atë si të veçantë në krimet seksuale ndaj të miturve dhe të rriturve. Gjithashtu, disa prej tyre, diskriminojnë në bazë gjinore dhe përdorin standarte dënimi kontradiktore që mbrojnë njërën gjini por jo tjetrën, që vënë para bankës së të akuzuarit njërën gjini por jo tjetrën.

Konkretisht ne denoncojmë dhe kërkojmë ndryshimin e neneve 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106 dhe 107 të Kodit Penal. Këto nene janë paragjykuese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTI sepse ato e venë theksin tek orientimi seksual, pavarësisht se krimi për arsye të qarta është njëlloj i dënueshëm pavarësisht orientimit apo gjinisë të dhunuesit. Dhuna seksuale kundër të miturve, grave, me persona të pazotë për tu mbrojtur, duke kërcënuar me armë, duke shpërdoruar detyrën,  ndaj personave nën kujdestari dhe në vende publike është dhe duhet të jetë njësoj e dënueshme pavarësisht nëse ajo është e natyrës homoseksuale apo heteroseksuale, e drejtuar ndaj një mashkulli apo femre, nga një mashkull apo femër.

Në fakt nenet 102 dhe 102/a të Kodit Penal janë diskriminues për shkak të orientimit seksual dhe gjinor njëkohësisht. Konkretisht neni 102 ndëshkon “marrëdhëniet seksuale me dhunë me të rritura”. Pra bën prezumimin se vetëm gratë e rritura mund të jenë viktima të dhunës seksuale dhe se dhunuesit e tyre mund të jenë vetëm burrat. Ndërkohë neni 102/a ndëshkon “marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur” duke bërë prezumimin se krimet seksuale mes personave të të njëjtit seks janë gjithmonë të kryera nga një mashkull kundër një mashkulli tjetër.

Konceptualizimi mbi gjininë dhe orientimin seksual në nenet e mësipërme është paragjykues, diskriminues dhe në mos-përputhje me botëkuptimin e sotëm mbi çështjet e dhunës seksuale, legjislacionin kombëtar e ndërkombëtar dhe principet e mos-diskriminimit. Dhuna seksuale mbetet dhunë seksuale dhe ajo nuk njeh orientim apo gjini. Kësisoj ai duhet reflektuar edhe në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Për sa më sipër, dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi në kërkojmë që Parlamenti i Republikës së Shqipërisë të bëjë ndryshimin e këtyre neneve në përputhje me standartet e mos-diskriminimit të cilat shkelen rëndë nga këto nene.

Fotoja e vitit 2014 tregon pasojat e homofobisë në Rusi




Xhon dhe Aleks, cifti gay ne nje moment intim ne Shen Peterburg zgjidhet si fotoja e vitit nga World Press

Në 12 Shkurt 2015, Agjencia “World Press Photo” zgjodhi si foton e vitit 2014 atë të një çifti gay, në një dhomë të erret në Rusi. Fotoja mori cmimin e pare edhe në kategorinë "Çështje Bashkëkohore". 

E shkrepur nga fotografi danez Mads Nissen, fotoja është pjesë e nje serie të quajtur “Homofobia në Rusi” i cili dokumenton vështirësitë dhe peripecite e komunitetit LGBT në Rusi, veçanërisht pas ligjit anti-gej të miratur në vitin 2013. 

“Kjo është një përpjekje për të kuptuar çdo të thotë të jetosh dashurinë e ndaluar në Rusinë moderne” shkruan Nissen në esenë e tij. “Minoritetet seksuale vuajnë diskriminim ligjor dhe social, persekutim dhe krime të dhunshme urrejtje nga grupet konservatore fetare dhe nacionaliste”. 

Në përzgjedhjen e saj juria e World Press shpjegoi se po kërkonte për një imazh pa kohe, një imazh ikonë me standarte të larta profesionale për rrëfimin duke theksuar nevojën për humanitet dhe estetikë. Fotografia e Nissen arriti ti prekte të gjitha këto.

Friday, February 13, 2015

Fëmijët LGBTI kanë të drejtë për barazi dhe siguri

Koment për të Drejtat e Njeriut
Këshilli i Europës
Strasburg, 2 Tetor 2014

Fëmijët lesbike, gej, biseksualë, trans dhe interseks (LGBTI) janë shpesh viktima të bulizmit dhe dhnës në shkolla, shtëpi dhe media sociale. Kjo ka një ndikim serioz në mirëqenien e tyre dhe i pengon ata të jenë të hapur për personalitetin e tyre. Si gjithë fëmijët e tjerë, edhe ata LGBTI kanë të drejtën të gëzojnë të drejtat e tyre dhe kanë nevojë për një mjedis të sigurtë në mënyrë që të marrin pjesë plotësisht në jetën shoqërore.

Përgjigjet ndaj bulizmit

Sipas një vezhgimi të kryer nga Agjencia Europiane për të Drejtat Themelore (FRA), të paktën 60% e personave LGBT kanë përjetuar komente apo sjellje negative në shkolla për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor. 80% kishin hasur në sjellje negative të të tjerëve si rezultat i perceptimit të një nxënësi/seje në shkollë si LGBT. Për shkak të shpestësisë së sjelljeve negative drejt personave LGBT nuk është surprizë që 2 nga 3 fëmijë LGBT e fshehin identitetin e tyre LGBT gjatë kohës që ndjekin shkollën.

Kjo situatë është e papranueshme dhe i vendos fëmijët LGBT nën një presion shumë të madh, sidomos tek ata fëmijë që rrezikojnë të kenë tendenca vetvrasje. Sipas një studimi të kryer në Irlandë, më shumë se gjysma e personave LGBT të anketuar, që ishin të moshës 25 vjeç ose më të rinj, kishin menduar seriozisht, të paktën një herë, për të vrarë veten e tyre.  Është e qartë se bulizmi ndikon negativisht në rezultatet mësimore të fëmijëve dhe shkel të drejtën e tyre për tu arsimuar të pa-diskriminuar, ashtu si edhe të drejtën për të shijuar standartet më të larta të shëndetit.

Shkolla duhet të jetë një mjedis i sigurtë për të gjithë nxënësit. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka bërë të qartë se fjalimet homofobike në mjediset shkollore nuk mbrohen nga Konventa Europiane që garanton të drejtën e shprehjes. Përballja me sjelljet homofobike dhe transfobike kërkon vëmendjen e vazhdueshme të shkollave dhe autoriteteve edukative. UNESCO dhe Organizata Rinore Ndërkombëtare e personave Lesbike, Gej, Biseksualë, Transgjinorë dhe Queer kanë prodhuar udhërrëfyes të posaçëm për përgjigje efektive. Irlanda ka paraqitur kërkesa të posaçme ligjore dhe praktika të detyrueshme për adrresimin e bulizmit homofobik dhe transfobik ne shkolla, së bashku me një plan konkret veprimi.

E drejta e Informimit

Fëmijët kanë të drejtë të marrin informacion të faktuar mbi seksualitetin dhe diversitetin gjinor. Përpjekjet anti-bulizëm duhet të mbështeten nga sistemi arsimor në lidhje me barazinë, gjininë dhe seksualitetin. Raportuese Special i OKB-së për të drejtën e arsimit ka vënë theksin tek e drejta e fëmijëve për edukim tërësor të fëmijëve pa diskriminim në bazë të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Është e rëndësishme që stereotipet për gjininë dhe seksualitetin të vihen në pyetje në shkolla. Këshilli Europian për të Drejtat Sociale ka gjetur shkelje të Kartës Sociale Europiane në lidhje me materialet mësimore duke vlerësuar se ato ishin “të njëanshme, diskriminuese dhe poshtëruese, sidomos në përshkrimin e personave të orientimit jo-heteroseksual”.

Shpesh mbrojtja e fëmijëve përdoret si argument për të ndaluar dhënien e informacionit mbi çështjen LGBT tek fëmijët. Komisioni i Venecia ka vlerësuar se argumenta të tillë nuk kalojnë parimet esenciale të nevojës dhe proporcionalitetit të kërkuara nga Gjykata Europiane. Nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se shpërndarja e informacionit pozitiv mbi personat LGBT të ketë një ndikim negative tek fëmijët. Përkundrazi, është në interesin e fëmijëve të informohen për seksualitetin dhe diversitetin gjinor.

Familja dhe Strehimi

Shumë fëmijë LGBT përballen me paragjykime dhe dhunën në shtëpitë e tyre. Pranimi i fëmijëve LGBTI është ende shumë i vështirë për mjaft prindër dhe anëtarë të familjes. Studimi i Fundamental Rights Agency gjeti se 35% e adoleshentëve nuk janë të hapur për faktin se janë LGBT tek të afërmit e tyre. Në Mal të Zi, unë vizitova një qënder pritje dhe strehimi për personat LGBT dhe aty takova të rinj të cilët ishin rrefuzuar nga familja e tyre dhe ishin detyruar të braktisnin shtëpinë. Organizata që manaxhonte qendrën ndërmjetësonte edhe marrëdhënien midis të rinjve LGBT dhe të afërmit e tyre dhe në disa raste kishin arritur të pajtonin palët.

Kur detyrohen të largohen nga familjet e tyre, të rinjtë LGBT rrezikojnë të kthehen në persona të pastrehë. Një studim në Britaninë e Madhe tregon se rreth 25% e të rinjve të pastrehë janë LGBT. Kriza ekonomike aktuale e bën edhe më të vështirë që personat LGBT të gjejnë punë apo strehim. Kur të rinjtë LGBT nuk mund të mbështeten te mbështetja e familjeve të tyre, rezultati mund të jetë një margjinalizim i gjatë me kosto shumë të larta në shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Fondacioni Albert Kennedy Trust në Britani manaxhon streha të përkohshme dhe qendra akomodimi të përhershme për personat e rinj LGBT së bashku me mbështetje sociale, profesionale dhe akademike. Shërbimet e Bashkive dhe ato të financuara nga shtetet për personat e pastrehë duhet gjithashtu të mirëpresin të rinjtë LGBTI.

E drejta për vetvendosje

Fëmijët trans dhe intersex përballen me pengesa specifike teksa ushtrojnë të drejten e tyre për vetvendosje. Si të mitur, adoleshentët trans e kanë të vështirë të sigurojnë akses në shërbime specifike mjekësore dhe mbështetëse për ta ndërkohë që fëmijët intersex shpesh i nënshtrohen trajtimeve të pakthyeshme “normalizuese” menjëherë pas lindjes, pa miratimin e tyre. Njohja ligjore e gjinisë se personave trans dhe interseks mbetet një pengesë e madhe në shumë vende. Fëmijët janë mbajtës të të drejtave dhe ata duhet të dëgjohen ndërkohë që merren vendime të rëndësishme për ta. Ndërhyrjet dhe trajtimet e ricaktimit të gjinisë apo seksit duhet të bazohen në miratimin dhe pranimin e tyre të plotë.

Fëmijët LGBT ndajnë problem të shumta të përbashkëta. Në projektin “Vizioni për 2020”, të rinjtë intersex dhe trans të Finlandës konsideruan si prioritet rritjen dhe zhvillimin e tyre në një mjedis të sigurt, ashtu si edhe mbrojtjn e të drejtës për tu informuar. Gjithashtu ata vunë theksin tek “e drejta për një jetë të sigurtë ligjërisht si anëtarë të barabartë të shoqërisë” dhe kërkuan për një legjislacion të barabartë dhe gjithëpërfshirës.

Fuqizimi dhe mbrojtja

Vizioni që kemi për të ardhmen duhet të jetë realiteti i sotëm. Që tani, të gjitha qeveritë kanë detyrimin për të fuqizuar dhe mbrojtur fëmijët LGBT. Respekti për mendimin e fëmijëve dhe mbrojtja e interesit të tyre janë të parashtruara qartaz në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijëve. Të drejtat e njeriut duhet të aplikohen tek fëmijët LGBT pa asnjë lloj diskriminimi.

Fëmijët LGBT duhet të jenë të aftë të ushtrojnë të drejtën e tyre të pjesëmarrjes në çdo fushë të jetës.  Aksesi në informacion është një kusht bazik për të mundësuar pjesëmarrjen dhe rolin në vendimarrje. Në të njëjtën kohë, fëmijët LGBTI duhet të mbrojhen nga dhuna dhe bulizmi në shtëpi, shkolla, internet, sporte dhe mjedise publike. Shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve, Avokatët e fëmijëve dhe policia duhet të bëjnë përpjekje të veçanta për të përfshirë fëmijët në punën e tyre. Qeveritë duhet të ndërmarrin aksione të vazhdueshme për të përmirësuar sigurinë dhe barazinë e fëmijëve LGBTI.

Nils Muižnieks
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut
Këshilli i Europës

Wednesday, February 11, 2015

Në kujtim të Holokaustit - Plani i nazistëve për të shfarosur personat gej


Nga Peter Tatchell

“Ne duhet ti shfarrosim këta njerëz (homoseksualët) me rrënjë dhe degë… Ne nuk mund të lejojmë një rrezik të tillë për atdheun, homoseksuali duhet të eleminohet plotësisht”.


Këto ishin fjalët drithëruese të shefit të SS-ve, Heinrich Himmler, i cili dizenjoi masteplanin për pastrimin seksual të racës ariane. 

Heinz F ishte një djalë gay gjerman i shpenguar dhe energjik në Berlinin e fillimviteve 1930. Ai, si shumë gjermanë të tjerë nuk kishte as më të voglën ide për ato që do të ndodhin brenda pak vitesh. “Nuk e kisha kuptuar plotësisht situatën, “ pranon të thotë ai me një farë pendese. Papritur, një mengjes policia trokiti në derën e tij. “Dyshohet se ju jeni homoseksual. Për këtë arsye jeni i arrestuar”. 

“E çfarë mund të bëja unë? Më çuan në kampin e Dakaut, pa asnjë process gjyqësor” thotë ai në intervistën për filmin dokumentar Neni 175 (Paragraph 175). 

Pas një viti e gjysmë internimi në Dakau, Heinz u lirua, por u arrestua sërish dhe këtë herë u çua në kampin Buksenvald. Atje ai zbuloi fatin e tmerrshëm të meshkujve gei dhe biseksualë. “Pothuajse të gjithë homoseksualët… gati të gjithë… ishin vrarë”. 

Për mrekulli Heinz mbijetoi pas tetë vitesh e gjysëm të kaluara nëpër kampe përqëndrimi. Pas luftës, ai nuk foli kurrë për eksperiencën e tij. Frika e tij ishte se ish të burgosurit gei perceptoheshin si kriminelë të zakonshëm dhe jo si viktima të nazizmit. Me lotë në sy ai thotë se: “Askush nuk donte të dëgjonte”. 

Deri në vitin 1933 jeta e tij ishte krejt ndryshe. Berlini ishte kryeqyteti gei i botës, me një komunitet të madh, me bare dhe klube nate. Kishte revista gej, organizata artistike dhe sportive për personat gej si dhe organizata që punonin për më shumë të drejta dhe mirëkuptim të tyre. Jeta në Berlin ishte e bukur – dhe duke u përmirësuar – për personat lesbike, gej, biseksuale, transgjinore dhe interseks (LGBTI). 

Edhe pse sipas nenit 175 të Kodit Penal gjerman homoseksualiteti ishte i jashtëligjshëm, ai zbatohej shumë rrallë. Në Reichstag (parlamentin gjerman) parlamentarët ishin afër anulimit të tij. Dukej sikur po afrohej një erë e re lirie. Por në fakt ndodhën horroret e nazizmit. 

Vetëm pak javë pas ardhjes në pushtet më 1933, Hitleri i ndaloi ligjerisht organizatat dhe publikimet homoseksuale. Baret dhe lokalet gej u mbyllën. Forcat policore shkatërruan zyrat e lëvizjes për të drejtat gej, Institutin e Shkencave Seksuale dhe dogjën publikisht librarinë më të madhe të kohës mbi çështjet seksuale Para fundit të vitit, homoseksualët e parë u arrestuan dhe deportuan në kampet e reja të përqëndrimit.

Në vitin 1934, Nazistët intensifikuan fushatën e tyre anti-gej me krijimin e Zyrës së Rajhut për të Luftuar Abortin dhe Homoseksualitetin. Sipas Himlerit: “ata që praktikojnë homoseksualitetin, i heqin Gjermanisë fëmijët të cilët i detyrohen… vendi ynë do të thërrmohet për shkak të asaj sëmundje.” Policia u urdhërua të krijonte lista “pink” me persona që dyshohej se ishin homoseksualë. Më pas ndodhën arrestime në masë.  

Më tej në 1935 Nazistët vijuan me luftën kundër të ashtuquajturës “ekzistencë anormale” duke e zgjeruar përkufizimin e homoseksualitetit dhe argumentat për arrestim. Vetë thashethemet apo dyshimet për dikë mjaftonin për ta arrestuar. Një mashkull mund të arrestohej si homoseksual thjesht për një prekje, gjest apo shikim. 

Më pas, Himleri autorizoi një program “shkencor” për eleminimin e këtij vesi. Të burgosurit gej iu nënshktruan eksperimenteve mjekësore në një përpjekje për të “kuruar” homoseksualitetin e tyre – përfshi trajtim hormonal apo kastrimin. 

Mendohet se në periudhën 1933-1945, 50.000 deri më 100.000 meshkuj u arrestuan për krimin e homoseksualitetit sipas nenit 175. Një pjesë u nxorrën para gjykatave ndërsa të tjerët dërgoheshin menjëherë në kampet e përqëndrimit pa asnjë proçes apo gjykim formal. Vdekjet e të burgosurve homoseksualë shkonin deri në 50%, më i larti mes të burgosurve jo-hebrenj. 

Të intervistuar për filmin Neni 175 ishin edhe Heinz Dormer dhe Gad Beck. Dormer shpenzoi pothuajse dhjetë vjet nëpër burgje dhe kampe përqëndrimi. Ai kujton qarjet e ankthshme nga “pylli që këndonte”, një rrjesht i madh shtyllash ku burrat e dënuar varrëshin. “Të gjithë ata që dënoheshin me vdekje varreshin aty. Qarjet dhe bërtitjet ishin jo-njerëzore… përtej botëkuptimit njerëzor.” 

“Homokausti” Nazist u përpoq të eleminonte tërrësisht burrat gej dhe biseksualë. Ai ishte pjesë integrale e holokaustit. Përkundër pretendimeve se persekutimi i hebrenjve ishte i veçantë dhe krejt i ndarë nga viktimizimi i minoriteteve të tjera, vrasja në masë të hebrenjve ishin pjesë e planit të Hitlerit për pastrimin racial dhe gjenetik të volkut gjerman. Nazistët planifikuan të eleminonin të gjithë ata që konsideroheshin prej tyre si “inferiorë” - pra jo vetëm hebrenjtë, por edhe personat gej, me aftësi të kufizuara, sllavë, romë, sinti etj. 

Gad Beck mbante një peshë të dyfishtë. Ai ishte gej dhe hebre. Ai kujton eksperiencën e tij të parë si adoleshent. “U ktheva në shtëpi tek nëna ime dhe i thashë: “Mama sot pata eksperiencën time të parë me një mashkull”. Për fat të mirë prindërit e pranuan homoseksualitetin e tij. Por ata druheshin për sigurinë e tij dhe i patën thënë: “Zot i madh, gej dhe hebre. Sidoqë të jetë ai do të persekutohet. Kjo nuk ka për të përfunduar mirë.” 

Fatmirësisht Beck i mbijetoi luftës, ndërkohë që pothuajse të gjithë personat përreth tij u zhdukën. Dy prej të dashurve të tij u kapën nga Nazistët. 

 “Një herë takova një djalë hebre shumë të bukur. Më ftoi të shtëpia e tij dhe kaluam natën bashkë. Në mëngjes erdhën Gestapot… Unë u tregova kartën time të identitetit – nuk isha në listë. Atë e morrën në Aushvic. Një natë dashurie kishte tjetër vlerë atëherë.” 

Më vonë, Beck u përpoq të lironte një tjetër të dashur, Manfred Lewin, nga një kamp i Gestapos. U paraqit atje si një antëar i Rinisë Hitleriane dhe kërkoi lirimin e Manfredit për një projekt ndërtimi. Edhe pse ky maskim shumë guximtar dhe i rrezikshëm pati sukses, teksa po ecnin të lirë në rrugë, Manfred i tha Gadit se nuk mund ti braktiste të afërmit në kamp. Beck pa se si i dashuri i tij u kthye në kamp për të qëndruar me ta. Nuk e pa më Manfredin. Ai dhe gjithë familja e tij u vranë në Aushvic. 

Tragjedi të tilla ishin të përditshme gjatë Rajhut të Tretë dhe përsëriteshin çdo ditë kundër viktimave gej dhe jo-gej të Nazizmit. Por për personat gej trauma ishte shpesh më komplekse për shkak se shumë prej tyre vuanin në vetmi, të refuzuar nga familjet, të persekutuar nga Nazistët dhe të poshtëruar nga të burgosurit e tjerë nëpër kampet e përqëndrimit. 

Nuk është çudi që nga ata pak të mbijetuar homoseksualë të holokaustit, kishte edhe shumë më pak që vendosën të flasin pas luftës. Neni 175 mbeti ligj edhe pas vitit 1945. Homoseksualiteti vazhdoi të ishte krim në Gjermaninë Lindore deri më 1968 dhe në Gjermaninë Perëndimore deri më 1969. 

--- --- --- 

Për më shumë informacion mbi fushatat e Peter Tatchell, për të marë buletinet e tij informuese apo për të bërë një donacion vizitoni faqen: www.PeterTatchellFoundation.org
 
© Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ky material është përkthyer dhe botuar në shqip me autorizim të autorit. Përktheu në shqip, Amarildo Fecanji. Tiranë 2015