Friday, March 20, 2015

Kosove: QESh dënon nxitjen e urrejtjes nga klerikët fetarë




Prishtinë - Qendra për Emancipim Shoqëror - QESh me keqardhje është informuar nga mediet e shkruara se një udhëheqës e i një bashkësie fetare në Kosovë (z. Femi Cakolli) ka bërë një deklaratë kundër komunitetit të personave lesbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) të Kosovës përmes nxitjes së urrejtjes, fyerjes, dhe denigrimit njerëzor.

QESh dënon këto lloj deklaratash, pa marrë parasysh se nga cili udhëheqës ato vijnë. Ato në rend të parë janë deklarata anti-kushtetuese dhe nuk janë në përputhje me të drejtat e njeriut, harmoninë ndërnjerëzore, dhe me mesazhet që bashkësitë fetare kanë për detyrë të përçojnë për paqe, dashuri dhe respekt të ndërsjellë.

Kemi për detyrë t’i kujtojmë publikut se Kosova qeveriset nga një Kushtetutë moderne, dhe se Kosova është dhe do të mbetet shtet laik; politikat dhe qeverisja nuk bëhen nga grupet fetare.
Pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë nuk i përkasin vetëm një religjioni, por ata vijnë nga çdo komunitet fetar në Kosovë. QESh ashtu siç përkushtohet për të drejta të plota të komunitetit LGBT, promovon liritë dhe barazitë e çdo qytetari të Kosovës.

Me këtë deklaratë, z. Cakolli ka bërë shkelje të rëndë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit në të cilin ai jeton - pra nxitje të urrejtjes, përmes abuzimit të lirisë së shprehjes.

Për fund, QESh dëshiron t’i bëjë thirrje qeverisë së Kosovës që të persekutojë nxitjen e urrejtjes, dhe në të njëjtën kohë QESh i bënë thirrje publikut të mos bie pre e nxitjeve dhe thirrjeve nga grupe të ndryshme fetare për urrejtje, ndërsa nga z. Cakolli të reflektojë mbi mesazhet dhe punën për të cilat ai pretendon se është i thirrur ta bëjë.

Zhvillohet në Korçë trajnimi një-ditor për të drejtat e personave LGBTI

18 Mars 2015 - Ambasada PINK / LGBT Pro në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Korçës zhvilloi pranë Qendrës së re Ndërkomunitare Kulturore trajnimin një ditor “Konceptet LGBTI dhe Ofrimi i Shërbimeve Miqësore”.

Aktiviteti i cili zhvillohet në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i jetës së personave LGBT në nivel lokal/komunitar” u ndoq nga një grup ndër-sektorial me përfaqësues të Drejtorive të ndryshme pranë Bashkisë Korcë, Policisë së Shtetit, Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social, Drejtorisë së Shëndetit Publik, Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, organizata të shoqërisë civile aktive në Korçë dhe mediat lokale.

Trajnimi u nda në disa pjesë. Në pjesën e parë pjesmarësit u njohen me konceptet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor, dhe biseduan gjerësisht për vështirësite sociale dhe kulturore në mirëkuptimin e diversitetit seksual dhe kulturor. Kjo pjesë e parë shërbeu për të diskutuar në mënyrë më kritike perceptimet kolektive mbi orientimin dhe identitetin gjinor duke vënë theksin tek mungesa e informacionit në programet arsimore si dhe në keqinformimin dhe keqinterpretimin e identiteteve LGBT.

Në pjesën e dytë, pjesëmarrësit mundën të diskutojnë më konkretisht çështje të tilla si heteronormativiteti, heteroseksizmi dhe diskriminimi i shumëfishtë.

Gjatë pjesës së tretë pjesëmarrësit diskutuan në mënyrë konstruktive çështje si martesa, adoptimi, lindja e fëmijëve përmes fekondimit in-vitro, diskriminimi i vajzave dhe grave në tërësi dhe pasojat e rënda të diskriminimit dhe përjashtimit. Përmes pranisë së ekspertëve të shëndetësisë u vunë në pah edhe problemet që lindin në shëndetin fizik të personave, çka shkaktohet gjerësisht për shkak të frikës për tu identifikuar, mungesës së informacionit, paragjykimet etj. Falë edhe diversitetit dhe eksepertizës së pjesëmarrësve, diskutimi u bë ndërsektorial dhe u diskutua në veçanti tema e diskriminimit dhe dizavantazheve të shkaktuara nga shkaqe të shumëfishta.

Në vlerësimin e tyre për trajnimin ekspertët pjesëmarrës vlerësuan kombinimin midis informacionit të dhënë dhe debatimit konstruktiv në tryezë. Për shumë prej tyre ofrimi i shërbimeve më cilësore për personat LGBT ishte një nga benefitet e këtij trajnimi.

Stafi i PINK falenderon Bashkinë Korçë për bashkëpunimin në realizimin e këtij trajnimi dhe uron që aktivitete të tilla të mund të zhvillohen edhe në të ardhmen me pjesëmarrjen e sa më shumë grupeve dhe institucioneve publike dhe jo-publike.