Friday, June 27, 2014

Ambasada PINK vlerësohet me çmimin ACT Now!




26 Qershor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri u vlerësua me çmimin ACT Now! Champion Award, në një ceremoni të realizuar pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

I ideuar në vitin 2012 nga Ambasadori Z. Aleksandër Arvizu, çmimi i përmuajshëm i shkon iniciativave të individëve apo grupeve që punojnë për avancimin e kauzave të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike. Në argumentimin e çmimit shkruhet “për përpjekjet e tyre në bazë për të mbrojtur të drejtat LGBT dhe për të luftuar diskriminimin kundër personave LGBT”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Arvizu u shpreh se kauza LGBT në Shqipëri ka njohur një progres të madh dhe të vazhdueshëm dhe se ndërkohe rruga drejt arritjes së barazisë është e gjatë. Ai kujtoi se dikur edhe në një vend si ShBA-të ekzistonte diskriminimi racial, madje i njohur si i tillë edhe ligjërisht, diçka që është e paimagjinueshme sot. Ai përshëndeti aktivistët LGBT dhe i uroi ata në përpjekjet e tyre duke iu kujtuar se ndodhen në krahun e duhur të historisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, përfaqësuesi i Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri, Amarildo Fecanji u shpreh se ndërkohë që avancimi i të drejtave LGBT, si një kauzë që nuk gëzon popullaritet kërkon kurajo, po aq kurajo kërkon edhe mbështetja hapur e aleatëve dhe grupeve të interesit që janë vendosur përkrah të drejtave të njeriut dhe të drejtave LGBT. Ai ftoi këto grupe interesi të marrin hapa përpara në këtë drejtim.

Pas ceremonisë Ambasadori u ul në një bisedë miqësore me aktivistët ku u diskutuan disa nga prioritetet dhe problematikat aktuale të lëvizjës LGBT në Shqipëri.

Çmimi ACT Now jepet çdo muaj, dhe kjo ishte hera e 17-të. Me këtë çmim u vlerësuan edhe organizatat e tjera LGBT në vend.  

PINK LGBT Pro Shqipëri, stafi dhe anëtarët e saj falenderojnë përzemërsisht Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave LGBTI në Shqipëri dhe në botë.

Wednesday, June 25, 2014

Parlamenti kroat voton muajin e ardhshëm unionet civile



25.06.2014 – Parlamenti i Kroacisë do votojë mbi unionet civile muajin e ardhshëm pas miratimit të projektligjit të shumëdiskutuar.

Dje, qeveria kroate i dha dritën jeshile projektligjit final të quajtur Akti i Partneritetit të Jetës, i cili u prezantua për herë të parë në vitin 2012 nga Kryeministri Zoran Milanoviç.

Projektligji do iu japë çifteve të gjinisë së njëjtë më shumë të drejta nga sa kanë tani, duke njohur bashkimin e tyre, por pa iu dhënë të drejtën e adoptimit apo statusin “i/e martuar”.

E përditshmja Balkan Insight, citoi Kryeministrin Milanoviç duke thënë se “ky ligj nuk është ofendues për askënd”, duke shtuar se “është një ligj human, përfshirës dhe jo përjashtues”.

Është raportuar se projektligji do prezantohet në Parlament në Korrik përpara pushimeve verore.

Daniel Martinoviç nga organizata Zagreb Pride, tha se “pavarësisht që ligji është pak konservator dhe nuk mundëson adoptimin, është esencial për çiftet e gjinisë së njëjtë. Ky ligj i jep çifteve njohje ligjore, të drejtat kryesore dhe është i kënaqshëm në të gjitha mënyrat. Ndërkohë ne duam të mundësojme bashkësinë civile edhe prë çiftet heteroseksuale, duke i dhënë fund segregimit” tha ai.

Në Dhjetor të vitit të kaluar, 65% e votuesve kroatë miratuan një ndalim kushtetues të martesave të gjinisë së njëjtë pas një lobimi të suksesshëm të një grupi advokues për “familjen tradicionale”.

Grupi në fjalë ka sulmuar edhe ligjin e ri duke e cilësuar si “jo respektues ndaj vullnetit të qytetarëve të shprehur në referendumin mbi martesën”.

Kroacia ka njohur të drejtën e bashkëjetesës së çifteve të gjinisë së njëjtë që prej vitit 2003, por të drejtat e tjera të garantuara me ligj kanë qenë të pakta.

Ndërkohë vitet e fundit Kroacia ka bërë një progres të madh me realizimin e Pride-ve dhe aktiviteteve të shumta në qytete si Zagrebi, Spliti, Istria etj.

Tuesday, June 10, 2014

VULLNETARIZOHUNI: 12 Qershor bashkohuni ne sensibilizimin e qytetareve mbi shfrytezimin e femijeve ne rruge

Fëmijët në situatë rruge janë ndër grupet më vulnerabël dhe shume prej të drejtat e tyre janë shkelur. Ata jetojnë në kushte të papranueshme fizike, sociale, psikologjike, nuk shkojnë në shkollë dhe shpesh herë janë subjekt i formave të ndryshme të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit. Studimi Kombëtar mbi fëmijët në situatë rruge në Shqipëri mbështetur nga UNICEF, ka sjell një sërë gjetjesh të rëndësishme mbi permasat e fenomenit te fëmijëve në situatë rruge. Sipas  studimit,  720 fëmijë jetojne në situatë rruge vetëm në Tiranë, ndersa mbi 2500 në të gjithë territorin e vendit tonë. 
 
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkepunim me Bashkinë e Tiranës dhe një serë organizatash, kanë ndërrmarrë një Nismë për fëmijët në situatë rruge, e cila synon mbrojtjen dhe përkujdesin e këtyre fëmijeve si dhe mbështetjen e familjeve të tyre. 

Ne kuadër të kësaj Nisme, më 12 Qershor 2014, në diten ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve, do të organizohet një fushatë ndërgjegjësuese e cila do  të bazohet në punë ndërgjegjësimi të grupeve vullnetare, nëpër zonat me të nxehta në lidhje me punën e fëmijëve ne situatë rruge në Tiranë. Puna ndërgjegjësuese do të konsistojë në ndërveprimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, komunikimit dhe shpërndarjen e fletushkave informative/ndërgjegjësuese. 

Mesazhet e shperndara do të synojnë të sensibilizojnë mbi fenomenin e fëmijëve në situatë rruge. Gjithashtu do të jepet mesazhi qytetarëve që duke i dhënë para fëmijeve që punojnë apo lypin në rrugë,  mendojnë se janë duke ndihmuar fëmijën, kur në fakt,  ata janë duke ushqyer një biznes të shfrytëzimit të fëmijëve për pune në rrugë. 

Për këtë qëllim, do të vlerësonim pjesëmarrjen e vullnetareve gjatë ditës 12 qershor. 

Grupet e vullnetarëve janë të lutur të paraqiten më datë 11, ora 15h00, në ambjentet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për tu udhëzuar më tepër mbi organizimin e fushatës dhe mesazheve që do të shpërndahen.