Wednesday, January 28, 2015

“Jam trans dhe Kisha ime nuk më do”: Papa e pret në Romë


I shkruan Papës duke i rrëfyer vuajtjet e tij. Në Vatikan e presin së bashku me të fejuarën


Diego Neria Lejarraga
Diego Neria Lejarraga është 48 vjeç dhe katolik praktikant. Ai vjen nga një familje katolike dhe ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të ngushtë me Kishën, deri në momentin që Diego, i cili ka lindur femër, kreu tranzicionin fizik për tu kthyer në mashkull. “Si mund të mendosh se do hysh në Kishë me gjendjen tënde? Ti nuk je i denjë”. Këto ishin komentet që dëgjonte në famullinë e tij në qytezën e Estremadurës në Spanjë. Në një intervistë për një portal spanjoll, Diego tregonte se si një prift, teksa e takoi në rrugë i tha “bijë e djallit”, duke iu drejtuar në gjininë femërore.



Burri nuk u dorëzua përpara idesa se Kisha e tij mund ta përjashtonte dhe për këtë arsye i shkruajti Papa Françeskut. Kështu rreth Krishtlindjeve, Diego mori dy telefonata nga Roma, njëra nga Papa, duke e ftuar për vizitë në Vatikan së bashku me të fejuarën e tij, me të cilën edhe do të martohet.

Papa Francesku
“Telefonata e parë – tha Diego – ishte më shumë nga çfarë unë prisja dhe shpresoja. Në telefonatën e dytë nuk arrija ta besoja se çfarë po më ndodhte, sepse e di që rasti im nuk është asgjë dhe se ka shumë njerëz të cilët vuajnë në këtë botë. Unë nuk e merritoj vëmendjen e Papës”.

Takimi privat me Papën u zhvillua të shtunën e kaluar në rezidencën Santa Marta. Burri nuk tregoi se çfarë diskutoi me Papën por sipas të përditshmes spanjolle hoy.es ata u përqafuan dhe Diego ishte ndier sërish i pranuar nga Kisha.

--- --- ---


Monday, January 26, 2015

Tirana Pride do të mbahet më 11 qershor 2015



26 Janar 2015 - Ambasada PINK / LGBT Pro, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe Open Mind Spectrum Albania, grupi organizator i Tirana Pride, vendosën sot që Marshimi i 2-të i Krenarisë do të zhvillohet në datën 11 qershor.

Ndërkohë është vendosur, që në datën 17 Maj 2015, Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë të zhvillohen aktivitetet e ndryshme ndërgjegjësuese të tilla si “Panairi i Diversitetit”, leksione të hapura, ekspozita, tryeza pune etj.  

Tirana Pride 2015, do të jetë një ditë solidarizimi me komunitetin e personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks, të cilët për shkak të diskriminimit historik hasin vështirësi të shumta në jetët e tyre. Ndërkohë që gjatë viteve të fundit vendi ynë ka bërë progres të madh ligjor dhe social drejt pranimit të diversitetit seksual dhe gjinor, kulturalisht dhe normativisht vizibiliteti i ulët i komunitetit LGBT mbetet një pengesë në njohjen dhe pranimin e tyre në shoqërinë shqiptare.  

Ne mendojmë, se rritja e vizibilitetit të çështjes LGBTI sjell fuqizim të demokracisë, respekt për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut dhe një emancipim të mirëfilltë i shoqërisë. Ne besojmë se liria e shprehjes dhe mbledhjes është një e drejtë legjitime e çdo qytetari dhe se efektet negative të liberalizmit apo demokracisë nuk duhet të shërbejnë si motivim për të sulmuar një minoritet në emër të një norme kolektive e cila nuk reflekton realitetin shoqëror.

Marshimi i krenarisë nuk është thjesht çështje krenarie. Marshimi ka të bëjë me të drejtën për të jetuar të lirë, duke mposhtur ndjenjën e turpit dhe fajit dhe perceptimin e gabuar të shumë personave LGBT, se duke qenë të tillë ata nuk janë të denjë për familjen, shoqërinë dhe vetë jetën.

Grupi organizues i Tirana Pride 2015 fton të gjitha institucionet, organizatat dhe qytetarët shqiptarë të bashkohen në këtë aktivitet për ti thënë jo diskriminimit, përjashtimit dhe urrejtjes, për ti thënë po dashurisë, respektit dhe dinjitetit.

--- --- ---

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri – Shtëpia e të Drejtave të Njeriut – Open Mind Spectrum Albania