Monday, July 14, 2014

Maqedoni, Parlamenti mund të ndalojë martesat e gjinisë së njëjtë me Kushtetutë. Reagojnë organizatat.



14 Korrik 2014 – Parlamenti maqedonas pritet që këto ditë të diskutojë një mocion të ri për të bërë ndryshime në Kushtetutë me qëllim ndalimin e martesave të gjinisë së njëjtë dhe të drejtës sa adoptimit.

Ky mocion synon që ta përkufizojë martesën në mënyrë strikte si një bashkim midis një burri dhe një gruaje, dhe ka qenë një nga premtimet e partisë nacionaliste në pushtet drejtuar nga Kryeministri Nikola Gruevski.

Që të miratohet mocioni ka nevoje për 2/3 e votave, çka do të thotë se për të kaluar ligjin duhet edhe mbështetja e partive më të vogla. Konkretisht pritet që Partia Demokratike Shqiptare e Maqedonisë të japë ato vota që do bënin të mundur këtë ndryshim.

Në lidhje me këto ndryshime në Kushtetutë ka reaguar partia më e madhe opozitare, Social Demokratët, të cilën refuzojnë të mbështesin mocionin, duke e quajtur atë të vjetëruar.
Reagojnë aktivistët

Në një letër të hapur, dërguar deputetëve shqiptarë të Parlamentit maqedonas, aktivistët e LGBT United Macedonia i apelojnë faktorit politik të përmbahet dhe të mos i aprovojë këto ndryshime të cilat do ti caktonin personat LGBT si qytetare të dorës së dytë. Ata i kujtojnë politikanëve se personat LGBT janë edhe mes shqiptarëve dhe se kjo çështje nuk i përket vetëm një komuniteti apo nacionaliteti.

Situata ligjore dhe sociale e komunitetit LGBT në Maqedoni ka qenë shumë e vështirë gjatë viteve të fundit, sidomos për shkak të politikës homofobike të qeverisë Gruevski. Aktivistët LGBT dhe shoqëria civile në vend prej kohësh kërkojnë përfshirjen e orientimit seksual dhe identitetit gjinor në ligjin anti-diskriminim të vendit.

No comments:

Post a Comment