Monday, May 26, 2014

Prokuroria e Përgjithshme të hetojë për mashtrim dhe nxitje urrejtje nënshkruesit e peticionit “Familje e Shëndoshë, atdhe i shëndoshë”



Tiranë, 26 Maj 2014 - Ambasada PINK dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri kanë mësuar prej disa ditësh publikimin e një peticioni të nënshkruar nga 57 të ashtë-quajtur intelektualë, nën titullin “Familje e shëndoshë, atdhe i shëndoshë”. Ky peticion, i cili nxit publikisht urrejtjen kundër personave me orientim seksual dhe identitet gjinor LGBT, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, u publikua fillimisht në faqen 7 të Gazetës Panorama, të datës 21 Maj 2014.

Ndërkohë ditën e enjte, në po të njëjtën gazetë, Dr. Agron Gjekmarkaj, emri i të cilit ishte publikuar zyrtarisht si nënshkrues i peticionit prej 57 personash, deklaroi publikisht se ai nuk ishte nënshkrues I peticionit (Gazeta Panorama, datë 22 Maj 2014, reagim nga Agron Gjekmarkaj nën titullin “Teknologjia e fabrikimit të peticioneve”.

Po në datë 22 Maj 2014, në versionin on-line të gazetës Panorama (www.panorama.com.al) tek artikulli i botuar në datë 21 Maj në lidhje me peticionin, nga version origjinal i 57 intelektualëve nënshkrues, hiqen pa asnjë shpjegim dy emra: Agron Gjekmarkaj dhe Alfred Lela (zv.kryeredaktor i Gazetës MAPO).

Këto denoncime dhe ndryshime tregojnë se një pjesë e nënshkruesve të peticionit janë mashtruar qëllimisht nga ata që kanë nxitur nënshkrimin e këtoj peticioni diskriminues, duke përdorur në mënyrë të pa-autorizuar emrat e disa personave dhe rrjedhimisht duke mashtruar publikisht opinionin publik në lidhje me këtë çështje. Në bindjen tonë autorët dhe nxitësit e këtij peticioni kanë kryer të paktën 2 vepra penale të dënueshme nga Kodi Penal dhe që për më tepër mos-ndëshkueshmëria e tyre vetëm do të nxisë rrezikshmërinë shoqërore të nënshkruesve të saj dhe të atyre që besojnë se urrejtja dhe diskriminimi janë zgjidhje.

Nisur nga sa më sipër ne i kërkojmë Prokurorisë së Përgjithshme të hapë në mënyrë të menjëhershme hetime për mashtrim (Neni 143 i Kodit Penal) dhe Nxitjen e urrejtjes ose grindjeve (Neni 265 i Kodit Penal), duke marrë në konsideratë edhe nenin 50, pika “j” të Kodit, pasi autorët e kanë kryer veprën penale në rrethana rënduese.

Komuniteti LGBT pret nga institucionet e zbatimit të ligjit që ato të mbrojnë të drejtat e çdo personi, kur ata rrezikohen nga krimi. Në këtë aspekt Prokuroria ka një përgjegjësi në ndjekjen e çdo rasti të tillë ku rrezikohet një grup i tërë shoqëror nga diskriminimi dhe krimet e urrejtjes.


Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri
Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri

No comments:

Post a Comment