Thursday, May 22, 2014

Peticioni i pseudo-intelektualeve të kohës së Enver Hoxhës nxit vetëm urrejtjen dhe ndasitë në shoqërinë shqiptare!

Ambasada PINK dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut janë njohur gjatë ditës së sotme nga Gazeta Panorama me një të ashtëquajtur Peticion të 57 pseudo-intelektualëve, të cilët ndër të tjera kanë një të përbashkët: nxitjen e urrejtjes dhe homofobisë ndaj cdo personi LGBT dhe mbështetësve të tyre në Shqipëri. Reagimi me ç’duket është grahma e fundit e injorancës dhe paditurisë intelektuale, që kërkon të refuzojë dijen dhe shkencën, vlerat dhe moralin më të mirë të shoqërisë, ku çdo njeri gëzon të drejtat në mëyrë të barabartë të pacënuara nga askush.

Peticioni të kujton fletë-rrufetë e kohës së Enver Hoxhës, ku pseudo-intelektualët pa vlera morale dhe ideologjike, të shtyre si hijena nga partia e punës, dërgonin në purgatorin e vrasjeve dhe pushkatimeve njerëz të pafajshëm, për të vetmen arsye se ata luftonin për një shoqëri të hapur, demokratike, ku çdo njeri të respektohej në të drejta dhe dinjitet.

Pabukësia mendore e këtyre pseudo-intelektualëve, që ende nuk e kanë bërë publike se cilat qarqe i kanë nxitur për të mbajtur një reagim të tillë të brujtur në halet e urrejtjes, kërkon të mbajë nën errësirën e injorancës dhe paditurisë çdo qytetar shqiptar që ëndërron të jetë i njëjtë dhe i barabartë me çdo qytetar europian. Thirrja, përpos nxitjes së urrjejtes shoqërore, paragjykon vlerat më të mira të shoqërisë së brishtë në Shqipëri, duke kërkuar që të na shpjerë në Anadoll apo Arabinë Saudite, ku gratë duhet të jenë të mbuluara me shami kokë e këmbë dhe personat LGBT duhen dënuar me vdekje.

Të jesh person LGBT do të thotë që je PRO-FAMILJES! Të jesh person LGBT do të thotë që je për një shoqëri, ku secili jeton i barabartë në dinjitet dhe në vlera. Të jesh person LGBT do të thotë të luftosh kundër urrejtjes, diskriminimit, pabarazisë dhe paditurisë shoqërore! Rreziku familjes shqiptare nuk i vjen as komuniteti LGBT, as nga Paradat apo shfaqet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Rreziku i familjes shqiptare qëndron tek pabarazia, ku çdo anëtar i familjes duhet të jetë e nënshtruar përkundrejt burrit dhe ku ai dhe vetëm ai mund të vendos për këdo e për çdo gjë!

Shqipëria nuk është Lindje – Shqipëria është Perëndim! Në këtë vend intelektualët e vërtetë ia kanë dedikuar jetën përparimit të Shqipërisë si pjesë e Europës me vlera perëndimore. Në një shoqëri të barabartë çdo njeri është i barabartë dhe gëzon të njëjtat të drejta. Thirrja jonë sot është: Liri - Barazi – Vëllazëri!

URRJEJTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJA! THUAJ PO DASHURISË!

No comments:

Post a Comment