Friday, March 20, 2015

Kosove: QESh dënon nxitjen e urrejtjes nga klerikët fetarë




Prishtinë - Qendra për Emancipim Shoqëror - QESh me keqardhje është informuar nga mediet e shkruara se një udhëheqës e i një bashkësie fetare në Kosovë (z. Femi Cakolli) ka bërë një deklaratë kundër komunitetit të personave lesbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) të Kosovës përmes nxitjes së urrejtjes, fyerjes, dhe denigrimit njerëzor.

QESh dënon këto lloj deklaratash, pa marrë parasysh se nga cili udhëheqës ato vijnë. Ato në rend të parë janë deklarata anti-kushtetuese dhe nuk janë në përputhje me të drejtat e njeriut, harmoninë ndërnjerëzore, dhe me mesazhet që bashkësitë fetare kanë për detyrë të përçojnë për paqe, dashuri dhe respekt të ndërsjellë.

Kemi për detyrë t’i kujtojmë publikut se Kosova qeveriset nga një Kushtetutë moderne, dhe se Kosova është dhe do të mbetet shtet laik; politikat dhe qeverisja nuk bëhen nga grupet fetare.
Pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë nuk i përkasin vetëm një religjioni, por ata vijnë nga çdo komunitet fetar në Kosovë. QESh ashtu siç përkushtohet për të drejta të plota të komunitetit LGBT, promovon liritë dhe barazitë e çdo qytetari të Kosovës.

Me këtë deklaratë, z. Cakolli ka bërë shkelje të rëndë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit në të cilin ai jeton - pra nxitje të urrejtjes, përmes abuzimit të lirisë së shprehjes.

Për fund, QESh dëshiron t’i bëjë thirrje qeverisë së Kosovës që të persekutojë nxitjen e urrejtjes, dhe në të njëjtën kohë QESh i bënë thirrje publikut të mos bie pre e nxitjeve dhe thirrjeve nga grupe të ndryshme fetare për urrejtje, ndërsa nga z. Cakolli të reflektojë mbi mesazhet dhe punën për të cilat ai pretendon se është i thirrur ta bëjë.

No comments:

Post a Comment