Monday, February 16, 2015

Kodi Penal në Shqipëri të shmangë diskriminimin e personave LGBTI


 
Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në mbrojtjen ligjore dhe avancimin e të drejtave të personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks. Por, reminishenca të legjislacionit të kohës së komunizmit vazhdojnë të gjenden në nenet e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Nene të caktuara të tij vazhdojnë të cënojnë dinjitetin dhe integritetin e personave LGBTI dhe diskriminojnë qytetarët mbi baza të gjinisë dhe orientimit seksual.

Në mos-përputhje me Kushtetutën e vendit, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Konventat Ndërkombëtare të nënshkruara nga Shqipëria këto nene vazhdojnë të dënojnë homoseksualizmin dhe ta evidentojnë atë si të veçantë në krimet seksuale ndaj të miturve dhe të rriturve. Gjithashtu, disa prej tyre, diskriminojnë në bazë gjinore dhe përdorin standarte dënimi kontradiktore që mbrojnë njërën gjini por jo tjetrën, që vënë para bankës së të akuzuarit njërën gjini por jo tjetrën.

Konkretisht ne denoncojmë dhe kërkojmë ndryshimin e neneve 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106 dhe 107 të Kodit Penal. Këto nene janë paragjykuese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTI sepse ato e venë theksin tek orientimi seksual, pavarësisht se krimi për arsye të qarta është njëlloj i dënueshëm pavarësisht orientimit apo gjinisë të dhunuesit. Dhuna seksuale kundër të miturve, grave, me persona të pazotë për tu mbrojtur, duke kërcënuar me armë, duke shpërdoruar detyrën,  ndaj personave nën kujdestari dhe në vende publike është dhe duhet të jetë njësoj e dënueshme pavarësisht nëse ajo është e natyrës homoseksuale apo heteroseksuale, e drejtuar ndaj një mashkulli apo femre, nga një mashkull apo femër.

Në fakt nenet 102 dhe 102/a të Kodit Penal janë diskriminues për shkak të orientimit seksual dhe gjinor njëkohësisht. Konkretisht neni 102 ndëshkon “marrëdhëniet seksuale me dhunë me të rritura”. Pra bën prezumimin se vetëm gratë e rritura mund të jenë viktima të dhunës seksuale dhe se dhunuesit e tyre mund të jenë vetëm burrat. Ndërkohë neni 102/a ndëshkon “marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur” duke bërë prezumimin se krimet seksuale mes personave të të njëjtit seks janë gjithmonë të kryera nga një mashkull kundër një mashkulli tjetër.

Konceptualizimi mbi gjininë dhe orientimin seksual në nenet e mësipërme është paragjykues, diskriminues dhe në mos-përputhje me botëkuptimin e sotëm mbi çështjet e dhunës seksuale, legjislacionin kombëtar e ndërkombëtar dhe principet e mos-diskriminimit. Dhuna seksuale mbetet dhunë seksuale dhe ajo nuk njeh orientim apo gjini. Kësisoj ai duhet reflektuar edhe në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Për sa më sipër, dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi në kërkojmë që Parlamenti i Republikës së Shqipërisë të bëjë ndryshimin e këtyre neneve në përputhje me standartet e mos-diskriminimit të cilat shkelen rëndë nga këto nene.

No comments:

Post a Comment