Tuesday, September 30, 2014

Zhvillohet me sukses Parada e Beogradit

Pas 3 vitesh dështimesh të njëpasnjëshme, Serbia garanton të drejtën e mbledhjes së komunitetit LGBT

28 Shtator, Beograd – Edhe pse me rreth 7000 policë,  vëmendjen maksimale të Qeverisë, dhe rreth 50 kundër-protestuesve, Parada e Beogradit u zhvillua me sukses dhe mbi 1000 aktivistë LGBT dhe mbështetës të tyre marshuan përpara institucioneve kryesore të kryeqytetit dhe kërkuan më shumë respekt për të drejtat e këtij komuniteti.

Forcat e mbrojtjes së Paradës përbëheshin nga policia anti-protesta, forcat speciale, mjete të blinduara, kanone uji etj për tu përballur me një sulm eventual të grupeve të ekstremit të djathtë. Mbi 50 protestues anti-LGBT u arrestuan gjatë këtij marshimi.

Në marshim morrën pjesë shumë figura publike përfshi edhe Kryebashkiakun Sinisa Mali i cili u tha mediave se: “Beogradi është një qytet i lirë, çka do të thotë se i mirëpret të gjithë dhe të gjithë këtu janë të barabartë”.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçic e lejoi me hezitim zhvillimin e Paradës, ndërkohë që nuk kurseu qëndrimin e tij ndaj lidhjeve jo-heteroseksuale, duke dashur të sigurojë opinionin publik se ai nuk është pro këtij komuniteti.

Në fjalimin e tij për mediat u duk qartë pozicioni i Vuçic: “Asnjë xham nuk u thye sot dhe kjo i dedikohet forcave të sigurisë të cilat treguan se mund të garantojnë sigurinë. Shteti mund, duhet dhe di se si të respektojë Kushtetutën. Jemi gjithashtu mirënjohës për ata që mendojnë ndryshe, që përbëjnë maxhorancën dhe që vendosën të mos shkaktojnë incidente.”

“Ne nuk e kemi bërë këtë për të hyrë në BE, ose sepse respektojmë popullatën gay më shumë se sa kishën, por sepse respektojmë kushtetutën tonë dhe të drejtat e njeriut, edhe pse kjo nuk ka qenë diçka e lehtë apo në përputhje me bindjet tona personale.”

“Sot ne treguam se shteti mund të zbatojë ligjet dhe të garantojë të drejtat e çdokujt. Sot ne treguam se Serbia është një shtet serioz që garanton rendin publik”.

Pavarësisht deklaratës së Vuçic besohet gjerësisht se arsyeja kryesore e lejimit të Paradës ka qenë afrimi i mëtejshëm i vendit me BE-në dhe presioni i komunitetit ndërkombëtar që kanë kritikuar ashpër Serbinë për mos-lejimin për disa vite të zhillimit të këtij aktiviteti, duke përdorur sigurinë si justifikim.

Në vitin 2010, Parada LGBT u sulmua nga një grup shumë i madh ultra-nacionalistësh çka rezultoi në shkatërrimin e qendrës së Beogradit dhe lëndimin e mbi 150 personave.

Një natë më herët, në 27 Shtator, kundërshtarët e të drejtave LGBT protestuan në Beograd nën kushte të rrepta sigurie dhe praninë e një numri shumë të madh forcash të policisë.

Serbia, ashtu si një pjesë e vendeve të Ballkanit, njihen për homofobinë e lartë, e cila shpesh shkaktohet nga grupet konservatore fetare apo ato të ekstremit të djathtë. Pavarësisht popullaritetit të vogël të kësaj kauze në rajon, është shënuar një progres i madh në lidhje me përmirësimin e kuadrit ligjor që garanton mbrojtjen nga diskriminimi, marrjen e masave për implementimin e politikave pozitive dhe njohjen të problemeve dhe nevojave të komunitetit LGBT në këto vende.

Për shumë analistë të lëvizjes LGBT, besohet se zhvillimi me sukses i Paradës LGBT në Serbi do të përmirësojë edhe më tej klimën ndaj këtij komuniteti dhe do të rrisë njohjen e mëtejshme të të drejtave të tyre nga qytetarët e vendeve të rajonit.

No comments:

Post a Comment