Wednesday, June 25, 2014

Parlamenti kroat voton muajin e ardhshëm unionet civile



25.06.2014 – Parlamenti i Kroacisë do votojë mbi unionet civile muajin e ardhshëm pas miratimit të projektligjit të shumëdiskutuar.

Dje, qeveria kroate i dha dritën jeshile projektligjit final të quajtur Akti i Partneritetit të Jetës, i cili u prezantua për herë të parë në vitin 2012 nga Kryeministri Zoran Milanoviç.

Projektligji do iu japë çifteve të gjinisë së njëjtë më shumë të drejta nga sa kanë tani, duke njohur bashkimin e tyre, por pa iu dhënë të drejtën e adoptimit apo statusin “i/e martuar”.

E përditshmja Balkan Insight, citoi Kryeministrin Milanoviç duke thënë se “ky ligj nuk është ofendues për askënd”, duke shtuar se “është një ligj human, përfshirës dhe jo përjashtues”.

Është raportuar se projektligji do prezantohet në Parlament në Korrik përpara pushimeve verore.

Daniel Martinoviç nga organizata Zagreb Pride, tha se “pavarësisht që ligji është pak konservator dhe nuk mundëson adoptimin, është esencial për çiftet e gjinisë së njëjtë. Ky ligj i jep çifteve njohje ligjore, të drejtat kryesore dhe është i kënaqshëm në të gjitha mënyrat. Ndërkohë ne duam të mundësojme bashkësinë civile edhe prë çiftet heteroseksuale, duke i dhënë fund segregimit” tha ai.

Në Dhjetor të vitit të kaluar, 65% e votuesve kroatë miratuan një ndalim kushtetues të martesave të gjinisë së njëjtë pas një lobimi të suksesshëm të një grupi advokues për “familjen tradicionale”.

Grupi në fjalë ka sulmuar edhe ligjin e ri duke e cilësuar si “jo respektues ndaj vullnetit të qytetarëve të shprehur në referendumin mbi martesën”.

Kroacia ka njohur të drejtën e bashkëjetesës së çifteve të gjinisë së njëjtë që prej vitit 2003, por të drejtat e tjera të garantuara me ligj kanë qenë të pakta.

Ndërkohë vitet e fundit Kroacia ka bërë një progres të madh me realizimin e Pride-ve dhe aktiviteteve të shumta në qytete si Zagrebi, Spliti, Istria etj.

No comments:

Post a Comment