Thursday, April 10, 2014

Në mbrojtje të fjalës së lirë? Arsimi dhe punësimi në pararojë të saj

Kërcënimi më i madh për lirinë e shprehjes vjen kur njerëzit dhe institucionet e marin atë për të qenë dhe nuk bëjnë asgjë për mbrojtjen, garantimin dhe avancimin e saj.

Nga Amarildo Fecanji

10 Prill 2014 – 17 Maji po njihet gjithmonë e më tepër, në Shqipëri dhe në vende të tjera, si Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT). Fushatat, aktivitetet dhe puna e palodhur e aktivistëve lesbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT), kanë filluar të kenë efektin e tyre pozitiv. Në vendin tonë me kalimin e viteve aktivitetet kanë parë më shumë pjesëmarrës dhe ndërgjegjësimi ka arritur një audiencë gjithmonë e më të lartë.

Por sfidat, ashtu siç merret me mend, janë të shumta, sepse homofobia e transfobia, ashtu si racizmi, misogjinia e diskriminimi i shumëfshtë janë ende mbizotëruese në kulturën popullore, politike dhe mediatike të vendit. Ndërkohë që aktivistët LGBT shqiptarë, gëzojnë, si gjithë qytetarët e tjerë të drejtën dhe lirinë e shprehjes, fenomene të tilla si auto-çensura, keq-informimi, keq-citimi, sulmet verbale dhe fyese në media e jetën publike dhe propaganda homofobike kundër personave LGBT dhe të drejtave të tyre mbeten shumë problematike.

Një nga çështjet sfiduese në këtë aspekt mbetet kriminalizimi i fjalimeve që nxisin urrejtjen, dhunën dhe veprime të tjera negative kundër personave LGBT. Kjo nuk është aq e lehtë sa mund të duket. Një nga problemet e një ligji kundër fjalimeve të urrejtjes është përkufizimi i fjalës “urrejtje”. Ndryshe nga dhuna dhe krimet fizike, urrejtja është shumë më subjektive. Kështu edhe vija midis fjalimeve të urrejtjes dhe këndvshtrimeve thjesht kundërshtuese dhe homofobike është e hollë dhe shpesh e padukshme.

Fjala e lirë, shprehja e mendimit pranues, kundërshtues apo i çfarëdolloji qoftë ai, është një nga themelet e funksionimit të një shoqërie demokratike, dhe i duhet garantuar të gjithë qytetarëve, qofshin ata mbrojtës apo kundërshtarë të të drejtave LGBT. Por kufiri duhet caktuar. Edhe pse termat ofendues ndaj një grupi social nuk duhet të shërbejnë si argument për të vendosur ligje e sanksione kundër atyre që i përdorin ato, dallimi duhet bërë midis fjalimeve që janë thjesht shprehje e opinionit ndryshe me ato që përbëjnë nxitje, thirrje dhe ftesë për dhunë apo veprim që mund të quhet kriminal kundër një qytetari, për shkak të orientimit të tij/saj seksual apo identitetit gjinor.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri beson se liria e shprehjes, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme, duhet ruajtur dhe garantuar në mënyrë të dedikuar nga të gjitha grupet e interesit që përbëjnë shoqërinë e sotme. Ndërkohë që institucionet shtetërore dhe shteti shqiptar kanë marrë hapa shumë pozitive në garantimin e plotë të së drejtës së shprehjes, në përputhje me kushtetutën e ligjet ndërkombëtare dhe kanë ngritur struktura të posaçme për mbrojtjen e zbatimin e tyre, shumë punë mbetet për tu bërë. Ne besojmë se më shumë rëndësi i duhet dhënë edukimit, arsimimit dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen dhe garantimin e lirisë së shprehjes, sidomos të grupeve vulnerabël. Institucionet shqiptare të ngarkuara më arsimimin, mbrojtjen nga diskriminimi, nga abuzimi i autoriteteve, nga trajtimi jo-etik dhejo- dinjitoz duhet të tre-fishojnë përpjekjet e tyre për të implementuar, bërë të njohura dhe integruar në sistemin shoqëror principet e mbrojtjes së të drejtës së shprehjes, me një vlerë të vecantë për minoritetet dhe grupet e diskriminuara. Sistemi arsimor dhe ai i punës duhet të integrohet në atë mënyrë që standartet e barazisë, diversitetit dhe mbrojtjes së minoriteteve të jenë të matshme dhe të domosdoshme për prindërit dhe rekrutimin e punësimin në institucione publike e private.

Në përmbyllje, mbrojtja e  lirisë së shprehjes duhet të shkojë në paralel me mbrojtjen e minoriteteve vulnerabël nga fjalimet e urrejtjes, në mënyrë të vecantë ato që nxisin dhe promovojnë dhunën. Shembujt negativë nga disa vende autokratike duhet të shërbejnë për të demonstruar se sa e rrezikuar është fjala e lirë, nëse qytetarët dhe institucionet nuk marrin masat e duhura dhe nuk punojnë sa duhet për ta mbrojtur atë.


No comments:

Post a Comment