Friday, June 27, 2014

Ambasada PINK vlerësohet me çmimin ACT Now!




26 Qershor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri u vlerësua me çmimin ACT Now! Champion Award, në një ceremoni të realizuar pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

I ideuar në vitin 2012 nga Ambasadori Z. Aleksandër Arvizu, çmimi i përmuajshëm i shkon iniciativave të individëve apo grupeve që punojnë për avancimin e kauzave të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike. Në argumentimin e çmimit shkruhet “për përpjekjet e tyre në bazë për të mbrojtur të drejtat LGBT dhe për të luftuar diskriminimin kundër personave LGBT”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Arvizu u shpreh se kauza LGBT në Shqipëri ka njohur një progres të madh dhe të vazhdueshëm dhe se ndërkohe rruga drejt arritjes së barazisë është e gjatë. Ai kujtoi se dikur edhe në një vend si ShBA-të ekzistonte diskriminimi racial, madje i njohur si i tillë edhe ligjërisht, diçka që është e paimagjinueshme sot. Ai përshëndeti aktivistët LGBT dhe i uroi ata në përpjekjet e tyre duke iu kujtuar se ndodhen në krahun e duhur të historisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, përfaqësuesi i Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri, Amarildo Fecanji u shpreh se ndërkohë që avancimi i të drejtave LGBT, si një kauzë që nuk gëzon popullaritet kërkon kurajo, po aq kurajo kërkon edhe mbështetja hapur e aleatëve dhe grupeve të interesit që janë vendosur përkrah të drejtave të njeriut dhe të drejtave LGBT. Ai ftoi këto grupe interesi të marrin hapa përpara në këtë drejtim.

Pas ceremonisë Ambasadori u ul në një bisedë miqësore me aktivistët ku u diskutuan disa nga prioritetet dhe problematikat aktuale të lëvizjës LGBT në Shqipëri.

Çmimi ACT Now jepet çdo muaj, dhe kjo ishte hera e 17-të. Me këtë çmim u vlerësuan edhe organizatat e tjera LGBT në vend.  

PINK LGBT Pro Shqipëri, stafi dhe anëtarët e saj falenderojnë përzemërsisht Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave LGBTI në Shqipëri dhe në botë.

Wednesday, June 25, 2014

Parlamenti kroat voton muajin e ardhshëm unionet civile



25.06.2014 – Parlamenti i Kroacisë do votojë mbi unionet civile muajin e ardhshëm pas miratimit të projektligjit të shumëdiskutuar.

Dje, qeveria kroate i dha dritën jeshile projektligjit final të quajtur Akti i Partneritetit të Jetës, i cili u prezantua për herë të parë në vitin 2012 nga Kryeministri Zoran Milanoviç.

Projektligji do iu japë çifteve të gjinisë së njëjtë më shumë të drejta nga sa kanë tani, duke njohur bashkimin e tyre, por pa iu dhënë të drejtën e adoptimit apo statusin “i/e martuar”.

E përditshmja Balkan Insight, citoi Kryeministrin Milanoviç duke thënë se “ky ligj nuk është ofendues për askënd”, duke shtuar se “është një ligj human, përfshirës dhe jo përjashtues”.

Është raportuar se projektligji do prezantohet në Parlament në Korrik përpara pushimeve verore.

Daniel Martinoviç nga organizata Zagreb Pride, tha se “pavarësisht që ligji është pak konservator dhe nuk mundëson adoptimin, është esencial për çiftet e gjinisë së njëjtë. Ky ligj i jep çifteve njohje ligjore, të drejtat kryesore dhe është i kënaqshëm në të gjitha mënyrat. Ndërkohë ne duam të mundësojme bashkësinë civile edhe prë çiftet heteroseksuale, duke i dhënë fund segregimit” tha ai.

Në Dhjetor të vitit të kaluar, 65% e votuesve kroatë miratuan një ndalim kushtetues të martesave të gjinisë së njëjtë pas një lobimi të suksesshëm të një grupi advokues për “familjen tradicionale”.

Grupi në fjalë ka sulmuar edhe ligjin e ri duke e cilësuar si “jo respektues ndaj vullnetit të qytetarëve të shprehur në referendumin mbi martesën”.

Kroacia ka njohur të drejtën e bashkëjetesës së çifteve të gjinisë së njëjtë që prej vitit 2003, por të drejtat e tjera të garantuara me ligj kanë qenë të pakta.

Ndërkohë vitet e fundit Kroacia ka bërë një progres të madh me realizimin e Pride-ve dhe aktiviteteve të shumta në qytete si Zagrebi, Spliti, Istria etj.

Tuesday, June 10, 2014

VULLNETARIZOHUNI: 12 Qershor bashkohuni ne sensibilizimin e qytetareve mbi shfrytezimin e femijeve ne rruge

Fëmijët në situatë rruge janë ndër grupet më vulnerabël dhe shume prej të drejtat e tyre janë shkelur. Ata jetojnë në kushte të papranueshme fizike, sociale, psikologjike, nuk shkojnë në shkollë dhe shpesh herë janë subjekt i formave të ndryshme të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit. Studimi Kombëtar mbi fëmijët në situatë rruge në Shqipëri mbështetur nga UNICEF, ka sjell një sërë gjetjesh të rëndësishme mbi permasat e fenomenit te fëmijëve në situatë rruge. Sipas  studimit,  720 fëmijë jetojne në situatë rruge vetëm në Tiranë, ndersa mbi 2500 në të gjithë territorin e vendit tonë. 
 
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkepunim me Bashkinë e Tiranës dhe një serë organizatash, kanë ndërrmarrë një Nismë për fëmijët në situatë rruge, e cila synon mbrojtjen dhe përkujdesin e këtyre fëmijeve si dhe mbështetjen e familjeve të tyre. 

Ne kuadër të kësaj Nisme, më 12 Qershor 2014, në diten ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve, do të organizohet një fushatë ndërgjegjësuese e cila do  të bazohet në punë ndërgjegjësimi të grupeve vullnetare, nëpër zonat me të nxehta në lidhje me punën e fëmijëve ne situatë rruge në Tiranë. Puna ndërgjegjësuese do të konsistojë në ndërveprimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, komunikimit dhe shpërndarjen e fletushkave informative/ndërgjegjësuese. 

Mesazhet e shperndara do të synojnë të sensibilizojnë mbi fenomenin e fëmijëve në situatë rruge. Gjithashtu do të jepet mesazhi qytetarëve që duke i dhënë para fëmijeve që punojnë apo lypin në rrugë,  mendojnë se janë duke ndihmuar fëmijën, kur në fakt,  ata janë duke ushqyer një biznes të shfrytëzimit të fëmijëve për pune në rrugë. 

Për këtë qëllim, do të vlerësonim pjesëmarrjen e vullnetareve gjatë ditës 12 qershor. 

Grupet e vullnetarëve janë të lutur të paraqiten më datë 11, ora 15h00, në ambjentet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për tu udhëzuar më tepër mbi organizimin e fushatës dhe mesazheve që do të shpërndahen.

Wednesday, May 28, 2014

Kur martesat e gjinisë së njëjtë ishin një rit i krishterë

28 Maj 2014 – Përkundër miteve dhe debateve të kohës, koncepti i krishtërimit për martesën nuk është gdhendur në gur që nga ditët e Krishtit, por ka evoluar si koncept dhe ritual. I ndjeri Profesor Xhon Bosuell, shef i Departamentit të Historisë pranë Universitetit të Yale (Jeil) në ShBA zbuloi në dokumentet liturgjike të Kishës antike, bashkësi martesore jo vetëm mes gjinive të ndryshme por edhe mes gjinive të njëjta. Ndër këto dokumenta u zbuluan ceremoni të quajtura “Zyra e Unionve të Gjinisë së Njëjtë (të shekujve të 10të dhe 11të) por edhe të “Urdhërit të Bashkimit të dy Burrave” (shekujt e 11të dhe 12të).

Ritet kishtare ku bashkoheshin dy persona të gjinisë së njëjtë, kishin gjithë simbolikën e martesave heteroseksuale: i gjithë komuniteti mblidhej në kishë, çifti bekohej në altar teksa takonin duart e djathta, bëheshin betimet e shenjta, një prift zyrtarizonte bashkimin përmes Eukarisë[1] dhe gjithçka përfundonte me festën ku merrnin pjesë gjithë të ftuarit. Të gjithë këto elementë shfaqen edhe në ilustrimet artistike të asaj kohe, si përshembull unionin e shenjtë të Perandorit-Luftëtar Bizantin, Bazili i Parë (867-886 Erës së Re) dhe partnerit të tij Xhon.[2]  

Në muzeun a artit të Kievit në Ukrainë, gjendet një ikonë interesante nga Manastiri i Shën Katerinës në Malin Sinai të Izraelit. Aty shfaqen dy shenjtorë të krishterë. Në mes tyre ndodhet një “mblesëtar” (i quajtur ndryshe pronubus) ose shoqërues i çiftit, teksa kujdeset për martesën. Ky pronubus shfaqet të jetë Krishti. Çifti që po martohet janë të dy burra.

Mos vallë ikona sugjeron se është duke u zhvilluar një “martesë” gej e shenjtëruar nga vetë Krishti? Ideja mund të duket shokuese, por përgjigjet vijnë nga vetë burimet e hershme kishtare. E tillë është ikona e Shën Sergius dhe Shen Bachus, dy ushtarë romakë që njihen si martirë të krishtërimit. Këta dy oficerë të ushtrisë romake, provokuan inatin e Perandorit Maksimilian kur u ekspozuan se ishin të krishterë, pasi refuzuan të futen në një tempull pagan. Të dy shenjtorët u dërguan në Siri rreth vitit 303 të Erës sm Re, ku mendohet se Bachus u vra nga gjuajtjet me kamzhik. Ndërkohë mendohet që Sergius ti ketë mbijetuar torturës por më pas vdiq duke i prerë kokën. Legjenda thotë se Bacchusit iu shfaq Sergius si ëngjëll, duke e ftuar të jetë i fortë sepse shumë shpejt ata do të bashkohen në parajsë. 

St. Sergius dhe St. Bacchus
Ndërkohë që vendosja krah për krah e shenjtorëve ishte diçka e zakonshme, sidomos në krishtërimin e hershëm, vendosja krah për krah e këtyre dy burrave konsiderohet nga kritikët si veçanërisht intime. Në një shpjegim të tijin, Severus, Patriarku i Antokias[1] (512-518 e Erës sonë) thoshte se “nuk mund të ndajmë me fjalë ata (Sergius dhe Bachus) që janë bashkuar në jetë. Ky nuk është një rast i thjeshtë dashurie vëllazërore”. Në përshkrimet e bëra gjatë shekullit të 10-të për dy shenjtorët, Shën Sergius festohet si “bashkëudhëtari dhe i dashuri i ëmbël” i Shën Bacchus. Marrëdhënia e ngushtë e Sergius dhe Bachus i ka shtyrë shumë studiues modernë të besojnë së marrëdhënia mes tyre ishte ajo e dy të dashuruarve. Ndërkohë, dëshmia më e fortë që mbështet këtë qëndrim është teksti i parë dhe origjinal i martirizimit të tyre, shkruar në Testamentin e Ri Grek duke i përshkruar ata si “erastai” ose “dashnorët” (lovers). Me fjalë të tjera ata ishin një çift meshkujsh homoseksualë. Lidhja dhe marrëdhënia e tyre jo vetëm që njihej, por pranohej dhe festohej në kishën e hershme e cila del të ketë qenë shumë më tolerante se Kisha e sotme.

Unionet e krishtera mes gjinisë së njëjtë kanë ndodhur edhe në Irlandë gjatë shekujve të 12-të dhe të 13të, siç shkruhet nga historiani Gerald i Wellsit (Geraldus Cambrensis).

Unionet e gjinisë së njëjtë në Europën para-moderne na paraqesin në mënyrë të detajuar disa ceremoni mes gjinisë së njëjtë të gjetura në dokumente liturgjike antike. Një rit grek i shekullit të 13-të përkujtonte Shën Sergin dhe Shën Bacchus, dhe i bënte thirrje Perëndisë të “mbrojë ata, Shërbëtorët e tij, që të dashurojnë njëri-tjetrin dhe të mos jenë shkak skandali për gjithë jetën e tyre, me ndihmën e Perëndisë dhe gjithë Shenjtorëve”. Ceremonia mbyllet me fjalët “dhe ata do të puthin Ungjillin e Shenjtë dhe njëri-tjetrin”.

Një tjetër rit është ai serb i shekullit të 14-të, me bashkimin e dy burrave dhe dy grave, me çiftet që vendosnin duart e tyre të djathta në Ungjill duke mbajtur kryqe në duart e majta. Pasi puthnin Ungjillin, çiftet kërkohej të puthnin njëri-tjetrin, pas të cilit, pas kryerjes së Eukarisë, do ti bekoheshin në bashkim.

Të dhëna për martesa mes gjinisë së njëjtë janë gjetur në arkivat e Vatikanit, Shën Petërburgut, Parisit, Stambollit dhe të Sinait duke mbuluar mbi një mijë vjet nga shekulli i 8-të deri në shekullin e 18-të.

Misionari Domenikan dhe Kryemurgu, Zhak Goar (1601-1653), i përfshin të tilla ceremoni në një koleksion lutjesh ortodokse greke të quajtura “Euchologion Sive Rituale Graecorum Complectens Ritus Et Ordines Divinae Liturgiae”. (Paris 1667)

Ndërkohë që homoseksualiteti ishte teknikisht i paligjshëm që në epokën romake, shkrimet homofobike nuk u shfaqën në Europën Perëndimore deri në fund të shekullit të 14-të. Edhe atëhere, Kisha vazhdoi të shenjtëroje martesat mes gjinisë së njëjtë.

Në Kishën e Shën Gjon Lateranit në Romë (e njohur tradicionalisht si kisha e famullisë së Papës), në vitin 1578 u bashkuan në martesë plot 13 çifte të gjinisë së njëjtë, gjatë një ceremonie madhështore e cila u bashkë-përgatit me klerikët e lartë të Vatikanit. Sipas raportit të kohës ata u martuan “duke u bashkuar, duke përdorur të njëjtat Shkrime të Shenjta, pas të cilit ata hëngrën dhe fjetën bashkë”. Një tjetër çift grash është raportuar të jenë martuar në Dalmaci në shekullin e 18-të.

Kërkimet akademike të Profesor Boswellit janë kaq të mirë dokumentuara dhe të vëertetuara saqë ngrejnë pyetje serioze mbi liderët modernë të Kishës dhe të krishterëve heteroseksualë mbi sjelljen e tyre kundrejt homoseksualitetit.

Që Kisha të injorojë faktet historike të evidentuara nga vetë arkivat e saj mund të quhet burracakëri dhe mashtrim. Faktet tregojnë në mënyrë bindëse se atë çka Kisha modern e quan si qëndrimin e saj tradicional dhe të pandryshuar kundrejt homoseksualizmit është në fakt krejt ndryshe.

Kjo vërteton në fakt, se përgjatë dy mijëvjeçarëve të fundit, në famulli dhe katedrale të të gjithë krishtërimit, nga Irlanda në Stamboll apo edhe në zemër të vetë Romës, marrëdhëniet homoseksuale janë pranuar si shprehje të vlefshme të dashurisë së falur nga vetë Perëndia, me gjithë përkushtimin e dy njerëzve për njëri-tjetrin, një dashuri që mund të festohet, nderohet, bekohet përmes Eukarisë, në emër të dhe me praninë e Jezu Krishtit.

FUND

Përktheu në Shqip:  Amarildo Fecanji

Artikulli origjinal në anglisht: http://anthropologist.livejournal.com/1314574.html

Shkrim I Thos Payne nga The Colfax Record

Shënim: Ambasada PINK / LGBT Pro është anëtare e Rrjetit Ndërfetar Global për mbrojtjen e personave me orientim seksual dhe identitet gjinor të ndryshëm (GIN Network). Ky rrjet ndër të tjera synon të ndërtojnë një dialog të shëndetshëm dhe pozitiv midis lëvizjes LGBT në botë dhe institutioneve fetare dhe promovimin e mirëkuptimit, tolerancës dhe pranimit të personave LGBT në komunitetet e të gjitha besimeve fetare në botë.


[1] Antokia – Qytet antik grek, i pozicionuar ne Turqine jugore, buze detit Mesdhe. Shen. i përkthyesit



[1] Eukaria – Ceremoni e krishterë që përkujton Darkën e Fundit, gjatë të cilës buka dhe vera bekohen dhe më pas konsumohen. Shënim i Përkthyesit.
[2] http://queerhistory.blogspot.com/2010/09/basil-i-of-byzantium-867-886.html Artikull mbi jetën e Perandorit Bizantin. Shënim i Përkthyesit.