Showing posts with label SHBA. Show all posts
Showing posts with label SHBA. Show all posts

Friday, June 27, 2014

Ambasada PINK vlerësohet me çmimin ACT Now!




26 Qershor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri u vlerësua me çmimin ACT Now! Champion Award, në një ceremoni të realizuar pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

I ideuar në vitin 2012 nga Ambasadori Z. Aleksandër Arvizu, çmimi i përmuajshëm i shkon iniciativave të individëve apo grupeve që punojnë për avancimin e kauzave të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike. Në argumentimin e çmimit shkruhet “për përpjekjet e tyre në bazë për të mbrojtur të drejtat LGBT dhe për të luftuar diskriminimin kundër personave LGBT”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Arvizu u shpreh se kauza LGBT në Shqipëri ka njohur një progres të madh dhe të vazhdueshëm dhe se ndërkohe rruga drejt arritjes së barazisë është e gjatë. Ai kujtoi se dikur edhe në një vend si ShBA-të ekzistonte diskriminimi racial, madje i njohur si i tillë edhe ligjërisht, diçka që është e paimagjinueshme sot. Ai përshëndeti aktivistët LGBT dhe i uroi ata në përpjekjet e tyre duke iu kujtuar se ndodhen në krahun e duhur të historisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, përfaqësuesi i Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri, Amarildo Fecanji u shpreh se ndërkohë që avancimi i të drejtave LGBT, si një kauzë që nuk gëzon popullaritet kërkon kurajo, po aq kurajo kërkon edhe mbështetja hapur e aleatëve dhe grupeve të interesit që janë vendosur përkrah të drejtave të njeriut dhe të drejtave LGBT. Ai ftoi këto grupe interesi të marrin hapa përpara në këtë drejtim.

Pas ceremonisë Ambasadori u ul në një bisedë miqësore me aktivistët ku u diskutuan disa nga prioritetet dhe problematikat aktuale të lëvizjës LGBT në Shqipëri.

Çmimi ACT Now jepet çdo muaj, dhe kjo ishte hera e 17-të. Me këtë çmim u vlerësuan edhe organizatat e tjera LGBT në vend.  

PINK LGBT Pro Shqipëri, stafi dhe anëtarët e saj falenderojnë përzemërsisht Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave LGBTI në Shqipëri dhe në botë.

Wednesday, April 30, 2014

Ambasada PINK takohet me Bankën Botërore në Washington

30 Prill 2014 - Përfaqësuesi i Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri Z. Altin Hazizaj mori pjesë, në datat 6-12 Prill, në takimin konsultues të Bankës Botërore mbi çështje të orientimit seksual dhe identitetit gjinor (SOGI) në washington, SHBA. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të përpjekjeve të Bankës Botërore për t’iu bashkuar nismave globale në luftën kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Takimet e punës u zhvilluan me Presidentin e Bankës Botërore Z. Jim Kim si dhe Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë, Italinë dhe Greqinë Z. Piero Cipollone. Pjesë e aktiviteteve ishin edhe një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, një tryezë pune me kongresmenë të ndryshëm dhe takimi me përfaqësues të Administratës së Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama.

Aktivistët LGBTI vinin nga pjesë të ndryshme të botës si Shqipëria, Polonia, India, Libani, Brazili, Nigeria, Uganda, Filipinet, Kina, Rusia, Meksika, Kosta Rika dhe Guiana. Ata mundën të ndajnë historitë e diskriminimit dhe persekutimit që personat LGBTI vuajnë mbi baza të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Takimet shërbyen për të ndarë perspektivat e punës që aktivistët bëjnë në vendet e tyre dhe sfidat që hasen për shkak të shtypjes dhe diskriminimit sistematik.

Në shumë vende të botës, Banka Botërore financon projekte në fushën e shëndetësisë, uljes së varfërisë dhe asistencës ndaj refugjatëve. Por për shkak të ligjeve që kriminalizojnë homoseksualitetin ose mungesës së praktikave të mira shumë nga këto fonde nuk shkojnë për pjesë vulnerabël të shoqërisë siç mund të jenë edhe personat LGBT. Aktivistët patën mundësinë të evidentojnë se shpesh fytyrat e varfërisë në vende të ndryshme të botës, përfshi edhe Shqipërinë, janë minoritetet seksuale si klasa të përjashtuara dhe diskriminuara në mjedisin e punës, arsim, shërbimet shëndetësore dhe mbështetjen financiare çka rezulton në veçimin e mëtejshëm të personave LGBT.

 17 anëtarë të Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë u takuan me aktivistët për tu njohur me kërkesat e tyre, prej të cilave kryesorja ishte angazhimi i mëtejshëm i BB-re jo vetëm në adresimin e diskriminimit kundër grave dhe personave LGBT por gjithashtu edhe në lehtësimin e hulumtimeve mbi pasojat e diskriminimit.


Së shpejti BB do të përgatisë një model të ri investimi në nivel global, ku ndër të tjera do kërkojë më shumë angazhim dhe përpjekje të shteteve për zhvillimin dhe përparimin e njerëzve pavarësisht orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor.