26 Qershor 2014 –
Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri u vlerësua me çmimin ACT Now! Champion Award,
në një ceremoni të realizuar pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës
në Tiranë.
I ideuar në vitin
2012 nga Ambasadori Z. Aleksandër Arvizu, çmimi i përmuajshëm i shkon
iniciativave të individëve apo grupeve që punojnë për avancimin e kauzave të
ndryshme sociale, ekonomike dhe politike. Në argumentimin e çmimit shkruhet “për
përpjekjet e tyre në bazë për të mbrojtur të drejtat LGBT dhe për të luftuar
diskriminimin kundër personave LGBT”.
Në fjalën e tij përshëndetëse,
Ambasadori Arvizu u shpreh se kauza LGBT në Shqipëri ka njohur një progres të
madh dhe të vazhdueshëm dhe se ndërkohe rruga drejt arritjes së barazisë është
e gjatë. Ai kujtoi se dikur edhe në një vend si ShBA-të ekzistonte diskriminimi
racial, madje i njohur si i tillë edhe ligjërisht, diçka që është e paimagjinueshme
sot. Ai përshëndeti aktivistët LGBT dhe i uroi ata në përpjekjet e tyre duke iu
kujtuar se ndodhen në krahun e duhur të historisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse,
përfaqësuesi i Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri, Amarildo Fecanji u shpreh se
ndërkohë që avancimi i të drejtave LGBT, si një kauzë që nuk gëzon popullaritet
kërkon kurajo, po aq kurajo kërkon edhe mbështetja hapur e aleatëve dhe grupeve
të interesit që janë vendosur përkrah të drejtave të njeriut dhe të drejtave
LGBT. Ai ftoi këto grupe interesi të marrin hapa përpara në këtë drejtim.
Pas ceremonisë
Ambasadori u ul në një bisedë miqësore me aktivistët ku u diskutuan disa nga
prioritetet dhe problematikat aktuale të lëvizjës LGBT në Shqipëri.
Çmimi ACT Now jepet
çdo muaj, dhe kjo ishte hera e 17-të. Me këtë çmim u vlerësuan edhe organizatat
e tjera LGBT në vend.
PINK LGBT Pro
Shqipëri, stafi dhe anëtarët e saj falenderojnë përzemërsisht Ambasadën e
Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në rrugëtimin e
gjatë dhe të vështirë të avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave
LGBTI në Shqipëri dhe në botë.
No comments:
Post a Comment