25.06.2014 – Parlamenti
i Kroacisë do votojë mbi unionet civile muajin e ardhshëm pas miratimit të
projektligjit të shumëdiskutuar.
Dje, qeveria kroate i
dha dritën jeshile projektligjit final të quajtur Akti i Partneritetit të Jetës,
i cili u prezantua për herë të parë në vitin 2012 nga Kryeministri Zoran
Milanoviç.
Projektligji do iu
japë çifteve të gjinisë së njëjtë më shumë të drejta nga sa kanë tani, duke
njohur bashkimin e tyre, por pa iu dhënë të drejtën e adoptimit apo statusin “i/e
martuar”.
E përditshmja Balkan
Insight, citoi Kryeministrin Milanoviç duke thënë se “ky ligj nuk është
ofendues për askënd”, duke shtuar se “është një ligj human, përfshirës dhe jo përjashtues”.
Është raportuar se
projektligji do prezantohet në Parlament në Korrik përpara pushimeve verore.
Daniel Martinoviç
nga organizata Zagreb Pride, tha se “pavarësisht që ligji është pak konservator
dhe nuk mundëson adoptimin, është esencial për çiftet e gjinisë së njëjtë. Ky
ligj i jep çifteve njohje ligjore, të drejtat kryesore dhe është i kënaqshëm në
të gjitha mënyrat. Ndërkohë ne duam të mundësojme bashkësinë civile edhe prë çiftet
heteroseksuale, duke i dhënë fund segregimit” tha ai.
Në Dhjetor të vitit
të kaluar, 65% e votuesve kroatë miratuan një ndalim kushtetues të martesave të
gjinisë së njëjtë pas një lobimi të suksesshëm të një grupi advokues për “familjen
tradicionale”.
Grupi në fjalë ka sulmuar
edhe ligjin e ri duke e cilësuar si “jo respektues ndaj vullnetit të qytetarëve
të shprehur në referendumin mbi martesën”.
Kroacia ka njohur të
drejtën e bashkëjetesës së çifteve të gjinisë së njëjtë që prej vitit 2003, por
të drejtat e tjera të garantuara me ligj kanë qenë të pakta.
Ndërkohë vitet e
fundit Kroacia ka bërë një progres të madh me realizimin e Pride-ve dhe
aktiviteteve të shumta në qytete si Zagrebi, Spliti, Istria etj.
No comments:
Post a Comment