7 Prill 2014 - Ambasada
PINK / LGBT Pro Shqipëri, prej disa javësh ka lançuar faqen më të re me tematikë
LGBT në vend, www.lgbtravelalbania.com
. Me mbështetjen e projektit LGBT të Këshillit të Europës, me pjesëmarrjen e
organizatave LGBT në vend dhe e përkrahur nga Agjencia Kombëtare e Turizmit,
faqja synon të jetë një nga burimet kryesore të informacionit për vizitorët
LGBT të huaj dhe shqiptarë.
Shumengjyrat e syrit te kalter |
E ndërtuar për të qenë
sa më e lehtë dhe praktike faqja ka dy audienca kryesore: të parët janë
bizneset, aktivitetet e ndryshme publike dhe private të cilat janë miqësore,
jo-diskriminuese dhe përkrahëse ndaj personave LGBT, dhe të dytët janë vetë
personat LGBT, shqiptarë dhe të huaj të cilët duan të udhëtojnë në destinacione
të sigurta dhe të përdorin shërbime jo-diskriminuese ndaj tyre.
Edhe pse Shqipëria është
shumë larg të qenurit një destinacion favorit për personat LGBT, për arsye të tilla
si infrastrukturë e dobët dhe mungesë e destinacioneve tradicionale për këtë
komunitet, dhe me bindjen se çdo shtet, qytet dhe fshat i botës duhet të jetë i
sigurtë dhe miqësor ndaj personave LGBT, Ambasada PINK ka menduar krijimin e kësaj
faqeje si eksplorim i një terreni të ri prej nga mund të avancohen të drejtat
LGBT.
Shërbimet miqësore
lidhen me të ndierit të pranuar, të vlerësuar dhe të lirë për tu prezantuar vetëm
apo së bashku me partnerët si persona LGBT. Punësimi, një tjetër fushë shumë
domethënëse për personat LGBT, mund të jetë një tjetër opsion pozitiv përmes kësaj
faqe.
Nje ylber mbi qiellin e Korces |
Ndërkohë, www.lgbtravelalbania.com nuk synon të
japë perceptimin e gabuar se të drejtat LGBT janë plotësisht të respektuara apo
se komuniteti LGBT është plotësisht i integruar në shoqërinë shqiptare. Pavarësisht
historive të ndryshme të suksesit dhe arritjeve domethënëse të lëvizjes LGBT,
komuniteti vazhdon të jetë në pjesën më të madhe i fshehur pas kornizës
heteronormative dhe vizibiliteti i tyre mbetet shumë i ulët.
Ambasada PINK / LGBT
Pro Shqipëri fton të gjitha bizneset, zyrat ligjore, klinikat dhe institucionet
e ndryshme private apo publike që të rregjistrojnë aktivitetin e tyre në këtë
faqe dhe të jenë kështu një derë e hapur edhe për qytetarët lgbt. Gjithashtu, PINK
fton Ministrinë e Turizmit, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinise, Dhomat
e Tregtisë dhe Bashkitë e vendit që të mbështesin dhe promovojnë këtë portal si
një hap i mëtejshëm drejt garantimit të barazisë dhe trajtimit miqësor,
dinjitoz dhe të qytetëruar të vizitorëve LGBT shqiptarë dhe të huaj. Gjithashtu,
PINK fton komunitetin ndërkombëtar në Shqipëri që të promovojnë këtë portal me
bizneset e huaja të pranishme në Shqipëri.
Koncepti bazë i
krijimit të kësaj faqe është besimi se të gjithë qytetarët, shqiptarë apo të
huaj, duhet të trajtohen me respekt, në mënyrë jo-paragjykuese dhe në përputhje
me rregullat dhe normat e një shoqërie të qytetëruar nga çfarëdolloj biznesi
apo industrie. Ndërkohë që koncepti gay-friendly
është një term më shumë amerikan sesa shqiptar, ai përputhet plotësisht me
ato që mund të njihen si nevojat bazë të personave LGBT për të mos u ndier të
diskriminuar apo të përjashtuar për shkak të orientimit të tyre seksual apo
identitetit gjinor.
No comments:
Post a Comment