Kërcënimi më i madh për lirinë e shprehjes vjen kur
njerëzit dhe institucionet e marin atë për të qenë dhe nuk bëjnë asgjë për
mbrojtjen, garantimin dhe avancimin e saj.
Nga Amarildo Fecanji
10 Prill 2014 – 17
Maji po njihet gjithmonë e më tepër, në Shqipëri dhe në vende të tjera, si Dita
Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT). Fushatat, aktivitetet
dhe puna e palodhur e aktivistëve lesbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë
(LGBT), kanë filluar të kenë efektin e tyre pozitiv. Në vendin tonë me kalimin
e viteve aktivitetet kanë parë më shumë pjesëmarrës dhe ndërgjegjësimi ka
arritur një audiencë gjithmonë e më të lartë.
Por sfidat, ashtu siç
merret me mend, janë të shumta, sepse homofobia e transfobia, ashtu si racizmi,
misogjinia e diskriminimi i shumëfshtë janë ende mbizotëruese në kulturën
popullore, politike dhe mediatike të vendit. Ndërkohë që aktivistët LGBT
shqiptarë, gëzojnë, si gjithë qytetarët e tjerë të drejtën dhe lirinë e
shprehjes, fenomene të tilla si auto-çensura, keq-informimi, keq-citimi, sulmet
verbale dhe fyese në media e jetën publike dhe propaganda homofobike kundër
personave LGBT dhe të drejtave të tyre mbeten shumë problematike.
Një nga çështjet sfiduese
në këtë aspekt mbetet kriminalizimi i fjalimeve që nxisin urrejtjen, dhunën dhe
veprime të tjera negative kundër personave LGBT. Kjo nuk është aq e lehtë sa
mund të duket. Një nga problemet e një ligji kundër fjalimeve të urrejtjes është
përkufizimi i fjalës “urrejtje”. Ndryshe nga dhuna dhe krimet fizike, urrejtja është
shumë më subjektive. Kështu edhe vija midis fjalimeve të urrejtjes dhe këndvshtrimeve
thjesht kundërshtuese dhe homofobike është e hollë dhe shpesh e padukshme.
Fjala e lirë,
shprehja e mendimit pranues, kundërshtues apo i çfarëdolloji qoftë ai, është një
nga themelet e funksionimit të një shoqërie demokratike, dhe i duhet garantuar
të gjithë qytetarëve, qofshin ata mbrojtës apo kundërshtarë të të drejtave
LGBT. Por kufiri duhet caktuar. Edhe pse termat ofendues ndaj një grupi social
nuk duhet të shërbejnë si argument për të vendosur ligje e sanksione kundër
atyre që i përdorin ato, dallimi duhet bërë midis fjalimeve që janë thjesht
shprehje e opinionit ndryshe me ato që përbëjnë nxitje, thirrje dhe ftesë për
dhunë apo veprim që mund të quhet kriminal kundër një qytetari, për shkak të
orientimit të tij/saj seksual apo identitetit gjinor.
Ambasada PINK / LGBT
Pro Shqipëri beson se liria e shprehjes, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme,
duhet ruajtur dhe garantuar në mënyrë të dedikuar nga të gjitha grupet e
interesit që përbëjnë shoqërinë e sotme. Ndërkohë që institucionet shtetërore
dhe shteti shqiptar kanë marrë hapa shumë pozitive në garantimin e plotë të së drejtës
së shprehjes, në përputhje me kushtetutën e ligjet ndërkombëtare dhe kanë
ngritur struktura të posaçme për mbrojtjen e zbatimin e tyre, shumë punë mbetet
për tu bërë. Ne besojmë se më shumë rëndësi i duhet dhënë edukimit, arsimimit
dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen dhe garantimin e lirisë së shprehjes, sidomos
të grupeve vulnerabël. Institucionet shqiptare të ngarkuara më arsimimin,
mbrojtjen nga diskriminimi, nga abuzimi i autoriteteve, nga trajtimi jo-etik
dhejo- dinjitoz duhet të tre-fishojnë përpjekjet e tyre për të implementuar, bërë
të njohura dhe integruar në sistemin shoqëror principet e mbrojtjes së të drejtës
së shprehjes, me një vlerë të vecantë për minoritetet dhe grupet e
diskriminuara. Sistemi arsimor dhe ai i punës duhet të integrohet në atë mënyrë
që standartet e barazisë, diversitetit dhe mbrojtjes së minoriteteve të jenë të
matshme dhe të domosdoshme për prindërit dhe rekrutimin e punësimin në
institucione publike e private.
Në përmbyllje,
mbrojtja e lirisë së shprehjes duhet të
shkojë në paralel me mbrojtjen e minoriteteve vulnerabël nga fjalimet e
urrejtjes, në mënyrë të vecantë ato që nxisin dhe promovojnë dhunën. Shembujt
negativë nga disa vende autokratike duhet të shërbejnë për të demonstruar se sa
e rrezikuar është fjala e lirë, nëse qytetarët dhe institucionet nuk marrin
masat e duhura dhe nuk punojnë sa duhet për ta mbrojtur atë.
No comments:
Post a Comment