Wednesday, January 28, 2015

“Jam trans dhe Kisha ime nuk më do”: Papa e pret në Romë


I shkruan Papës duke i rrëfyer vuajtjet e tij. Në Vatikan e presin së bashku me të fejuarën


Diego Neria Lejarraga
Diego Neria Lejarraga është 48 vjeç dhe katolik praktikant. Ai vjen nga një familje katolike dhe ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të ngushtë me Kishën, deri në momentin që Diego, i cili ka lindur femër, kreu tranzicionin fizik për tu kthyer në mashkull. “Si mund të mendosh se do hysh në Kishë me gjendjen tënde? Ti nuk je i denjë”. Këto ishin komentet që dëgjonte në famullinë e tij në qytezën e Estremadurës në Spanjë. Në një intervistë për një portal spanjoll, Diego tregonte se si një prift, teksa e takoi në rrugë i tha “bijë e djallit”, duke iu drejtuar në gjininë femërore.



Burri nuk u dorëzua përpara idesa se Kisha e tij mund ta përjashtonte dhe për këtë arsye i shkruajti Papa Françeskut. Kështu rreth Krishtlindjeve, Diego mori dy telefonata nga Roma, njëra nga Papa, duke e ftuar për vizitë në Vatikan së bashku me të fejuarën e tij, me të cilën edhe do të martohet.

Papa Francesku
“Telefonata e parë – tha Diego – ishte më shumë nga çfarë unë prisja dhe shpresoja. Në telefonatën e dytë nuk arrija ta besoja se çfarë po më ndodhte, sepse e di që rasti im nuk është asgjë dhe se ka shumë njerëz të cilët vuajnë në këtë botë. Unë nuk e merritoj vëmendjen e Papës”.

Takimi privat me Papën u zhvillua të shtunën e kaluar në rezidencën Santa Marta. Burri nuk tregoi se çfarë diskutoi me Papën por sipas të përditshmes spanjolle hoy.es ata u përqafuan dhe Diego ishte ndier sërish i pranuar nga Kisha.

--- --- ---


Monday, January 26, 2015

Tirana Pride do të mbahet më 11 qershor 2015



26 Janar 2015 - Ambasada PINK / LGBT Pro, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe Open Mind Spectrum Albania, grupi organizator i Tirana Pride, vendosën sot që Marshimi i 2-të i Krenarisë do të zhvillohet në datën 11 qershor.

Ndërkohë është vendosur, që në datën 17 Maj 2015, Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë të zhvillohen aktivitetet e ndryshme ndërgjegjësuese të tilla si “Panairi i Diversitetit”, leksione të hapura, ekspozita, tryeza pune etj.  

Tirana Pride 2015, do të jetë një ditë solidarizimi me komunitetin e personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks, të cilët për shkak të diskriminimit historik hasin vështirësi të shumta në jetët e tyre. Ndërkohë që gjatë viteve të fundit vendi ynë ka bërë progres të madh ligjor dhe social drejt pranimit të diversitetit seksual dhe gjinor, kulturalisht dhe normativisht vizibiliteti i ulët i komunitetit LGBT mbetet një pengesë në njohjen dhe pranimin e tyre në shoqërinë shqiptare.  

Ne mendojmë, se rritja e vizibilitetit të çështjes LGBTI sjell fuqizim të demokracisë, respekt për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut dhe një emancipim të mirëfilltë i shoqërisë. Ne besojmë se liria e shprehjes dhe mbledhjes është një e drejtë legjitime e çdo qytetari dhe se efektet negative të liberalizmit apo demokracisë nuk duhet të shërbejnë si motivim për të sulmuar një minoritet në emër të një norme kolektive e cila nuk reflekton realitetin shoqëror.

Marshimi i krenarisë nuk është thjesht çështje krenarie. Marshimi ka të bëjë me të drejtën për të jetuar të lirë, duke mposhtur ndjenjën e turpit dhe fajit dhe perceptimin e gabuar të shumë personave LGBT, se duke qenë të tillë ata nuk janë të denjë për familjen, shoqërinë dhe vetë jetën.

Grupi organizues i Tirana Pride 2015 fton të gjitha institucionet, organizatat dhe qytetarët shqiptarë të bashkohen në këtë aktivitet për ti thënë jo diskriminimit, përjashtimit dhe urrejtjes, për ti thënë po dashurisë, respektit dhe dinjitetit.

--- --- ---

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri – Shtëpia e të Drejtave të Njeriut – Open Mind Spectrum Albania

Wednesday, December 17, 2014

Ekspozita “Shija e Lirisë” udhëton në Shkodër



12 Dhjetor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Qendrën e Informimit të Bashkimit Europian në Shkodër hapën në mjediset e kësaj të fundit ekspozitën “Shija e Lirisë”, e para me tematikë LGBTI në zonën më të madhe urbane të veriut. 

Duke marrë frymëzimin nga tema ndërkombëtare e këtij IDAHOT (Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë) grupi i aktivistëve PINK menduan të realizojnë një ekspozitë ku përmes fotografive amatoriale dhe profesionale të tregohet eksperienca e popullit shqiptar gjatë ushtrimit të të drejtës së shprehjes dhe mbledhjes. Fotot janë bërë në momente demonstratash, manifestimesh dhe protestash nëpër Shqipëri ndërkohë që disa nga fotot janë mare në vende të ndryshme të rajonit. I kuruar nga artisti i ri Artan Karoli, koleksioni i fotografive përmbledh 20 më të mirat nga demonstrata për mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve, personave LGBTI, mjedisin, kafshët, të drejtat politike etj. 

Këto momente shprehje të mendimit janë të rëndësishme për personat lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks (LGBTI) sepse e drejta e shprehjes dhe liria qe vjen prej saj janë thelbësore për njohjen e këtij komuniteti, problemet dhe nevojat e tyre. Detyra e një shoqërie demokratike është mbrojtja dhe garantimi i kësaj të drejte kurse përgjegjësia e çdo qytetari është promovimi dhe ushtrimi i saj. 

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë të rinj nga qyteti, përfaqësues të Bashkisë Shkodër si dhe ishin të pranishme të gjitha mediat lokale. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur 2 javët në vazhdim do të mund të shihet nga shumë qytetarë shkodranë. Në mesazhin e tij për publikun shkodran, Z. Amarildo Fecanji, Drejtor Programesh pranë PINK i ftoi qytetarët ta vizitojnë ekspozitën për të kuptuar se të drejtat e komunitetit LGBTI funksionojnë dhe ushtrohen në kontekstin e të drejtave të njeriut dhe ato universale të aplikueshmë për këdo.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri falenderojnë EU Info Centre Shkodër dhe Bashkinë Shkodër për mbështetjen e tyre në hapjen e kësaj ekspozite. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 Janar 2015. 

Kjo ekspozitë realizohet falë mbështetjes së Bashkimit Europian.  Për më shumë informacion mbi komunitetin LGBTI dhe aktivitetet e Ambasadës PINK / LGBT Pro vizitoni faqen www.pinkembassy.al.

Monday, November 17, 2014

Bashkitë angazhohen për avancimin e të drejtave LGBT



Ambasada PINK, Bashkitë, Ministritë dhe institucionet e të drejtave të njeriut angazhohen për përmirësimin e jetës së personave LGBT në nivel komunitar

13 Nëntor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro, nënshkroi Marrëveshjet dhe Memorandumet e Bashkëpunimit me Bashkitë e qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Shkodër. Kjo ishte një ditë historike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT në vend, sepse shënon brenda pak vjetësh integrimin e kauzës LGBT në nivelin vendor, çka e afron atë edhe më shumë me komunitetin.  

Kjo iniciativë, i cila po zbatohet nga Ambasada PINK në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe mbështetjen e Bashkimit Europian, synon të përmirësojë cilësinë e jetës së personave LGBT në nivel komunitar. Takimi u ndoq dhe u përshëndet nga përfaqësues të institucioneve qëndrore si Znj. Nora Malaj zv. Ministre e Arsimit dhe Sportit, Znj. Merita Xhafaj, Drejtore e Përgjithshme e Politikave Sociale, Z. Igli Totozani, Avokat i Popullit, Znj. Ardiana Hala, Këshilltare pranë Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe përfaqësuesit e Bashkive Z. Arben Beqiraj, nën kryetar i Bashkisë Vlorë, Znj. Antoneta Prifti, nën Kryetare e Bashkisë Elbasan, Znj. Afërdita Zëri, Këshilltare e Kryetarit të Bashksië Tiranë, Znj. Meme Xhaferaj, Drejtore e Shërbimit Social, Bashkia Durrës, Znj. Jeta Xhabija, Specialiste pranë Bashkisë e Marrëdhënieve me Komunitetin Bashkia Shkodër, Znj. Mamica Muko, Specialiste në Zyrën e Mbrojtjes së Komunitetit, Bashkia Korçë, etj.

Nënshkrimi i marrëveshjeve ishte rezultati i disa takimeve të punës dhe trajnimeve pasuese të realizuara më zyrtarë dhe drejtues të Bashkive në fjalë. Që në takimet e para të punës, Kryetarët e Bashkive dhe drejtuesit e tjerë, kanë pranuar se në nivel komunitar ekzistojnë ende sfida të mëdha përsa i takon tematikës LGBT. Ndër më të rëndësishmet veçohen këtu vështirësitë me mentalitetin si dhe padukshmëria e komunitetit. Për këtë arsye ata të gjithë e kanë mirëpritur këtë iniciativë, duke qenë të vetëdijshëm se reformat dhe ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur me tematikën LGBT, do të reflektohen tashmë në qendrat më të mëdha urbane në vend. Në fjalën e tij Z. Beqiraj theksoi angazhimin e Bashkisë së Vlorës për të siguruar zgjerimin dhe njohjen e të drejtave të komunitetit LGBT në qytet. Kjo u theksua edhe në komentet e përfaqësuesve të Bashkive të tjera në tryezë. Në këtë ceremoni u ra dakord të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si dy institucione të cilat do të lehtësojnë disa nga aktivitetet e iniciativës. 

Iniciativa do synojë, që brenda 2 viteve të ardhshme të forcojë kapacitetet e punonjësve të administratës së Bashkive në lidhje me çështjen LGBT, të transferojë dijen dhe informacionin përmes materialeve që mund të publikohen, të zbatojë plane veprimi për avancimin e kauzës LGBT në komunitet, njohjen dhe ndërgjegjësimin mbi personat LGBT, të trajnojë mësuesit dhe psikologët e shkollave të këtyre qyteteve, të zhvillojë aktivitete ndërgjegjësuese me qëllim informimin e opinionit publik etj.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i iniciativës është edhe adresimi i çështjes së diskriminimit dhe bulizmit në shkollat e mesme si dhe trajnimi i mësuesve dhe psikologëve në shkolla mbi tematikën. Në fjalën e saj Zv. Ministrja e Arsimit Znj. Nora Malaj theksoi se për të adresuar çështjen siç duhet do të punohet jo vetëm në këtë sektor por gjithashtu edhe në rishikimin e kurrikulave dhe përfshirjen e tematikës LGBT në përgatitjen e mësuesve të ardhshëm, kreditimin e mësuesve aktualë dhe kryerjen një proçes i plotë reformues.

Rezultatet më të rëndësishme të kësaj iniciative do të jenë; shërbime të përmirësuara ndaj komunitetit LGBT nga institucionet qeverisëse vendore, mbrojtje efektive të të rinjve LGBT nga diskriminimi dhe bulizmi në shkolla dhe komunitet dhe integrimi i tematikës në debatet mediatike, të shoqërisë civile dhe ato të opinionit publik të qyteteve në fjalë. Iniciativa do të prodhojë gjithashtu edhe materiale informuese të cilat do të mund të përdoren nga Bashkitë e tjera të vendit.

Ndërkohë në bashkëpunim me Ministrinë e Mireqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do të mundësohet zhvillimi i trajnimeve me zyrat e Sherbimit Social dhe Punësimit dhe do të mundësohet zhvillimi i aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe informuese me mësuesit dhe psikologët e shkollave të mesme të qyteteve. Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Sociale Znj. Merita Xhafaj theksoi disa nga punët e bëra në kuadër të luftës kundër diskriminimit dhe dha mbështetje të plotë për integrimin e mëtejshëm të çështjes LGBT në programet e përfshirjes sociale. Gjithashtu Znj. Ilda Bozo, Drejtore e Pwrfshirjes Sociale pranw MMSR theksoi rolin që iniciativa si kjo e fundit kanë patur në integrimin e tematikës LGBT në nivel institucional dhe në hartimin e politikave dhe strategjive të institucioneve pjesëmarrëse.

Në fund të aktivitetit u nënshkruan edhe marrëveshjet e Bashkëpunimit midis PINK dhe Bashkive.

Ambasada PINK dëshiron të falenderojë të gjitha Bashkitë dhe institucionet e përfshira në këtë iniciative dhe uron që ky të jetë një fillim i mbarë për integrimin e plotë të tematikës LGBT në të gjitha Bashkitë e vendit.