12 Dhjetor 2014 – Ambasada PINK /
LGBT Pro Shqipëri në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Qendrën e Informimit të
Bashkimit Europian në Shkodër hapën në mjediset e kësaj të fundit ekspozitën
“Shija e Lirisë”, e para me tematikë LGBTI në zonën më të madhe urbane të
veriut.
Duke marrë frymëzimin nga tema ndërkombëtare
e këtij IDAHOT (Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë) grupi i
aktivistëve PINK menduan të realizojnë një ekspozitë ku përmes fotografive
amatoriale dhe profesionale të tregohet eksperienca e popullit shqiptar gjatë
ushtrimit të të drejtës së shprehjes dhe mbledhjes. Fotot janë bërë në momente
demonstratash, manifestimesh dhe protestash nëpër Shqipëri ndërkohë që disa nga
fotot janë mare në vende të ndryshme të rajonit. I kuruar nga artisti i ri
Artan Karoli, koleksioni i fotografive përmbledh 20 më të mirat nga demonstrata
për mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve, personave LGBTI, mjedisin,
kafshët, të drejtat politike etj.
Këto momente shprehje të mendimit
janë të rëndësishme për personat lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe
interseks (LGBTI) sepse e drejta e shprehjes dhe liria qe vjen prej saj janë
thelbësore për njohjen e këtij komuniteti, problemet dhe nevojat e tyre. Detyra
e një shoqërie demokratike është mbrojtja dhe garantimi i kësaj të drejte kurse
përgjegjësia e çdo qytetari është promovimi dhe ushtrimi i saj.
Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri
falenderojnë EU Info Centre Shkodër dhe Bashkinë Shkodër për mbështetjen e tyre
në hapjen e kësaj ekspozite. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 5
Janar 2015.
Kjo ekspozitë realizohet falë
mbështetjes së Bashkimit Europian. Për më shumë informacion mbi komunitetin LGBTI dhe
aktivitetet e Ambasadës PINK / LGBT Pro vizitoni faqen www.pinkembassy.al.
No comments:
Post a Comment