26 Janar 2015 - Ambasada PINK / LGBT Pro, Shtëpia e të Drejtave të
Njeriut në Shqipëri dhe Open Mind Spectrum Albania, grupi organizator i Tirana
Pride, vendosën sot që Marshimi i 2-të i Krenarisë do të zhvillohet në datën 11
qershor.
Ndërkohë është vendosur, që në datën 17 Maj 2015, Ditën Ndërkombëtare
kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë të zhvillohen aktivitetet e
ndryshme ndërgjegjësuese të tilla si “Panairi i Diversitetit”, leksione të
hapura, ekspozita, tryeza pune etj.
Tirana Pride 2015, do të jetë një ditë solidarizimi me komunitetin e
personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks, të cilët për
shkak të diskriminimit historik hasin vështirësi të shumta në jetët e tyre. Ndërkohë
që gjatë viteve të fundit vendi ynë ka bërë progres të madh ligjor dhe social
drejt pranimit të diversitetit seksual dhe gjinor, kulturalisht dhe
normativisht vizibiliteti i ulët i komunitetit LGBT mbetet një pengesë në
njohjen dhe pranimin e tyre në shoqërinë shqiptare.
Ne mendojmë, se rritja e vizibilitetit të çështjes LGBTI sjell fuqizim
të demokracisë, respekt për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut dhe një
emancipim të mirëfilltë i shoqërisë. Ne besojmë se liria e shprehjes dhe
mbledhjes është një e drejtë legjitime e çdo qytetari dhe se efektet negative të
liberalizmit apo demokracisë nuk duhet të shërbejnë si motivim për të sulmuar
një minoritet në emër të një norme kolektive e cila nuk reflekton realitetin
shoqëror.
Marshimi i krenarisë nuk është thjesht çështje krenarie. Marshimi ka të
bëjë me të drejtën për të jetuar të lirë, duke mposhtur ndjenjën e turpit dhe fajit
dhe perceptimin e gabuar të shumë personave LGBT, se duke qenë të tillë ata nuk
janë të denjë për familjen, shoqërinë dhe vetë jetën.
Grupi organizues i Tirana Pride 2015 fton të gjitha institucionet,
organizatat dhe qytetarët shqiptarë të bashkohen në këtë aktivitet për ti thënë
jo diskriminimit, përjashtimit dhe urrejtjes, për ti thënë po dashurisë,
respektit dhe dinjitetit.
--- --- ---
Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri – Shtëpia e të Drejtave të Njeriut –
Open Mind Spectrum Albania
No comments:
Post a Comment