Ambasada PINK, Bashkitë, Ministritë dhe
institucionet e të drejtave të njeriut angazhohen për përmirësimin e jetës së
personave LGBT në nivel komunitar
13 Nëntor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro,
nënshkroi Marrëveshjet dhe Memorandumet e Bashkëpunimit me Bashkitë e qyteteve
Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Shkodër. Kjo ishte një ditë historike
për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT në vend, sepse shënon
brenda pak vjetësh integrimin e kauzës LGBT në nivelin vendor, çka e afron atë
edhe më shumë me komunitetin.
Kjo iniciativë, i cila po zbatohet nga Ambasada
PINK në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi
dhe mbështetjen e Bashkimit Europian, synon të përmirësojë cilësinë e jetës së
personave LGBT në nivel komunitar. Takimi u ndoq dhe u përshëndet nga përfaqësues
të institucioneve qëndrore si Znj. Nora Malaj zv. Ministre e Arsimit dhe
Sportit, Znj. Merita Xhafaj, Drejtore e Përgjithshme e Politikave Sociale, Z.
Igli Totozani, Avokat i Popullit, Znj. Ardiana Hala, Këshilltare pranë
Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe përfaqësuesit e Bashkive Z.
Arben Beqiraj, nën kryetar i Bashkisë Vlorë, Znj. Antoneta Prifti, nën Kryetare
e Bashkisë Elbasan, Znj. Afërdita Zëri, Këshilltare e Kryetarit të Bashksië
Tiranë, Znj. Meme Xhaferaj, Drejtore e Shërbimit Social, Bashkia Durrës, Znj.
Jeta Xhabija, Specialiste pranë Bashkisë e Marrëdhënieve me Komunitetin Bashkia
Shkodër, Znj. Mamica Muko, Specialiste në Zyrën e Mbrojtjes së Komunitetit,
Bashkia Korçë, etj.
Nënshkrimi i marrëveshjeve ishte rezultati i disa
takimeve të punës dhe trajnimeve pasuese të realizuara më zyrtarë dhe drejtues
të Bashkive në fjalë. Që në takimet e para të punës, Kryetarët e Bashkive dhe
drejtuesit e tjerë, kanë pranuar se në nivel komunitar ekzistojnë ende sfida të
mëdha përsa i takon tematikës LGBT. Ndër më të rëndësishmet veçohen këtu vështirësitë
me mentalitetin si dhe padukshmëria e komunitetit. Për këtë arsye ata të gjithë
e kanë mirëpritur këtë iniciativë, duke qenë të vetëdijshëm se reformat dhe
ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur me tematikën LGBT, do të reflektohen tashmë
në qendrat më të mëdha urbane në vend. Në fjalën e tij Z. Beqiraj theksoi
angazhimin e Bashkisë së Vlorës për të siguruar zgjerimin dhe njohjen e të
drejtave të komunitetit LGBT në qytet. Kjo u theksua edhe në komentet e
përfaqësuesve të Bashkive të tjera në tryezë. Në këtë ceremoni u ra dakord të nënshkruhen
marrëveshje bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe
Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si dy institucione të cilat do të lehtësojnë
disa nga aktivitetet e iniciativës.
Iniciativa do synojë, që brenda 2 viteve të ardhshme
të forcojë kapacitetet e punonjësve të administratës së Bashkive në lidhje me çështjen
LGBT, të transferojë dijen dhe informacionin përmes materialeve që mund të publikohen,
të zbatojë plane veprimi për avancimin e kauzës LGBT në komunitet, njohjen dhe
ndërgjegjësimin mbi personat LGBT, të trajnojë mësuesit dhe psikologët e shkollave
të këtyre qyteteve, të zhvillojë aktivitete ndërgjegjësuese me qëllim
informimin e opinionit publik etj.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i iniciativës është
edhe adresimi i çështjes së diskriminimit dhe bulizmit në shkollat e mesme si
dhe trajnimi i mësuesve dhe psikologëve në shkolla mbi tematikën. Në fjalën e
saj Zv. Ministrja e Arsimit Znj. Nora Malaj theksoi se për të adresuar çështjen
siç duhet do të punohet jo vetëm në këtë sektor por gjithashtu edhe në
rishikimin e kurrikulave dhe përfshirjen e tematikës LGBT në përgatitjen e mësuesve
të ardhshëm, kreditimin e mësuesve aktualë dhe kryerjen një proçes i plotë
reformues.
Rezultatet më të rëndësishme të kësaj iniciative do
të jenë; shërbime të përmirësuara ndaj komunitetit LGBT nga institucionet
qeverisëse vendore, mbrojtje efektive të të rinjve LGBT nga diskriminimi dhe
bulizmi në shkolla dhe komunitet dhe integrimi i tematikës në debatet
mediatike, të shoqërisë civile dhe ato të opinionit publik të qyteteve në fjalë.
Iniciativa do të prodhojë gjithashtu edhe materiale informuese të cilat do të
mund të përdoren nga Bashkitë e tjera të vendit.
Ndërkohë në bashkëpunim me Ministrinë e Mireqenies
Sociale dhe Rinisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do të mundësohet
zhvillimi i trajnimeve me zyrat e Sherbimit Social dhe Punësimit dhe do të
mundësohet zhvillimi i aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe informuese me mësuesit
dhe psikologët e shkollave të mesme të qyteteve. Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave
Sociale Znj. Merita Xhafaj theksoi disa nga punët e bëra në kuadër të luftës
kundër diskriminimit dhe dha mbështetje të plotë për integrimin e mëtejshëm të
çështjes LGBT në programet e përfshirjes sociale. Gjithashtu Znj. Ilda Bozo,
Drejtore e Pwrfshirjes Sociale pranw MMSR theksoi rolin që iniciativa si kjo e
fundit kanë patur në integrimin e tematikës LGBT në nivel institucional dhe në
hartimin e politikave dhe strategjive të institucioneve pjesëmarrëse.
Në fund të aktivitetit u nënshkruan edhe
marrëveshjet e Bashkëpunimit midis PINK dhe Bashkive.
Ambasada PINK dëshiron të falenderojë të gjitha
Bashkitë dhe institucionet e përfshira në këtë iniciative dhe uron që ky të
jetë një fillim i mbarë për integrimin e plotë të tematikës LGBT në të gjitha
Bashkitë e vendit.
No comments:
Post a Comment