Koalicioni
për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë në bashkëpunim me Shtëpia e të
Drejtave të Njeriut / CRCA Shqipëri në partneritet me Olof Palme
International Centre, ka kënaqësinë që përmes kësaj thirrje, të njoftojë
hapjen e procesit të propozimeve të kandidateve për Çmimin “Gruaja e Vitit 2014”.
Kjo
iniciativë ka për qëllim të fuqizojë kauzën e të drejtave dhe avancimit
të grave dhe vajzave në Shqipëri, si një mjet që kontribuon në
evidentimin dhe mbështetjen e tyre në fusha të vështira shoqërore si
politika, ekonomia/biznesi dhe shoqëria civile.
Përmes kësaj thirrje ne ftojmë të gjithë partnerët tanë dhe individët e interesuar që të nominojnë/kandidojnë me propozimet e tyre gra dhe vajza që kanë dhënë kontributin e tyre në fusha si politika, ekonomia/biznesi dhe shoqëria civile, përgjatë vitit 2014 në vendin tonë dhe njëkohësisht që kanë mbështetur gra dhe vajza të tjera në këto fusha.
Dhënia
e këtij çmimi, i pari i këtij lloji, do të synojë të shërbejë
gjithashtu si një nxitje për gratë dhe vajzat në fushat e
sipërpërmendura për të mbështetur dhe përkrahur gra dhe vajza të tjera,
në vitet në vijim, të cilat dëshirojnë të punojnë e kontribuojnë në
politikë, shoqëri civile dhe ekonomi.
Kategoritë për të cilat mund të bëni propozimet tuaja për kandidate të Çmimit “Gruaja e Vitit 2014” janë:
- Gruaja e Vitit 2014 në Politikë
- Gruaja e Vitit 2014 në Ekonomi/Biznes
- Gruaja e Vitit 2014 në Shoqëri Civile
Gratë dhe vajzat mund të propozojnë veten ose të nominohen nga të tjerë në tre kategoritë e sipërpërmendura duke plotësuar formularin e aplikimit në link:
Vlerësimi
për propozimet do të bëhet nga një juri me përfaqësim gjithëpërfshirës
nga të tre sektorët. Më pas propozimet e zgjedhura do të votohen e
vlerësohen online nga publiku i gjerë për një periudhë një mujore. Në
muajin Dhjetor, në një Aktivitet të hapur Publik, do të lançohen dhe
ndahen çmimet sipas tre kategorive. Çmimet organizohen nga Koalicioni
për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë në bashkëpunim me Shtëpia e të
Drejtave të Njeriut/CRCA Shqipëri dhe në partneritet me The Olof Palme
International Centre me financim të Qeverisë Suedeze.
No comments:
Post a Comment