Pas 3
vitesh dështimesh të njëpasnjëshme, Serbia garanton të drejtën e mbledhjes së
komunitetit LGBT
28 Shtator, Beograd – Edhe pse me rreth 7000 policë, vëmendjen maksimale të Qeverisë, dhe rreth 50
kundër-protestuesve, Parada e Beogradit u zhvillua me sukses dhe mbi 1000
aktivistë LGBT dhe mbështetës të tyre marshuan përpara institucioneve kryesore
të kryeqytetit dhe kërkuan më shumë respekt për të drejtat e këtij komuniteti.
Forcat e mbrojtjes së Paradës përbëheshin nga
policia anti-protesta, forcat speciale, mjete të blinduara, kanone uji etj për
tu përballur me një sulm eventual të grupeve të ekstremit të djathtë. Mbi 50
protestues anti-LGBT u arrestuan gjatë këtij marshimi.
Në marshim morrën pjesë shumë figura publike
përfshi edhe Kryebashkiakun Sinisa Mali i cili u tha mediave se: “Beogradi
është një qytet i lirë, çka do të thotë se i mirëpret të gjithë dhe të gjithë
këtu janë të barabartë”.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçic e lejoi me
hezitim zhvillimin e Paradës, ndërkohë që nuk kurseu qëndrimin e tij ndaj
lidhjeve jo-heteroseksuale, duke dashur të sigurojë opinionin publik se ai nuk është
pro këtij komuniteti.

“Ne nuk e kemi bërë këtë për të hyrë në BE, ose
sepse respektojmë popullatën gay më shumë se sa kishën, por sepse respektojmë
kushtetutën tonë dhe të drejtat e njeriut, edhe pse kjo nuk ka qenë diçka e
lehtë apo në përputhje me bindjet tona personale.”
“Sot ne treguam se shteti mund të zbatojë ligjet
dhe të garantojë të drejtat e çdokujt. Sot ne treguam se Serbia është një shtet
serioz që garanton rendin publik”.
Pavarësisht deklaratës së Vuçic besohet gjerësisht
se arsyeja kryesore e lejimit të Paradës ka qenë afrimi i mëtejshëm i vendit me
BE-në dhe presioni i komunitetit ndërkombëtar që kanë kritikuar ashpër Serbinë
për mos-lejimin për disa vite të zhillimit të këtij aktiviteti, duke përdorur
sigurinë si justifikim.
Në vitin 2010, Parada LGBT u sulmua nga një grup
shumë i madh ultra-nacionalistësh çka rezultoi në shkatërrimin e qendrës së
Beogradit dhe lëndimin e mbi 150 personave.

Serbia, ashtu si një pjesë e vendeve të Ballkanit,
njihen për homofobinë e lartë, e cila shpesh shkaktohet nga grupet konservatore
fetare apo ato të ekstremit të djathtë. Pavarësisht popullaritetit të vogël të
kësaj kauze në rajon, është shënuar një progres i madh në lidhje me
përmirësimin e kuadrit ligjor që garanton mbrojtjen nga diskriminimi, marrjen e
masave për implementimin e politikave pozitive dhe njohjen të problemeve dhe
nevojave të komunitetit LGBT në këto vende.
Për shumë analistë të lëvizjes LGBT, besohet se
zhvillimi me sukses i Paradës LGBT në Serbi do të përmirësojë edhe më tej
klimën ndaj këtij komuniteti dhe do të rrisë njohjen e mëtejshme të të drejtave
të tyre nga qytetarët e vendeve të rajonit.
No comments:
Post a Comment