Monday, October 27, 2014

Ambasada PINK pjesë e Bordit Rinor Këshillimor pranë Këshillit Bashkiak të Tiranës



Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri si anëtare e Lidershipit të të Rinjve të Tiranës, rrjet organizatash jo-qeveritare dhe forumesh politike  për të rinjtë, bëhët pjesë e Bordit Rinor Këshillimor pranë Këshillit Bashkiak Tiranë.

Në datën 24 Tetor u nënshkrua edhe akti i themelimit të këtij Bordi pranë Këshillit Bashkiak, me pjesëmarrjen e plot 33 organizatave të cilat do të jenë pjesë e strukturës këshilluese. Bordi i ri do të mundësoje rritjen e përfaqësimit të të rinjve të Tiranës në nivel lokal në të gjitha fazat e vendim-marrjes dhe hartimit të politikave për të rinjtë. 



Wednesday, October 15, 2014

Estonia njeh ciftet e te njejtit seks



Javën e kaluar Parlamenti i Estonisë miratoi ligjin e bashkëjetesës i cili do të jetë neutral përsa i takon gjinive që mund ta kërkojnë këtë të drejtë, çka garanton që personat e të njëjtit seks do mund të gëzojnë ligjërisht të njëjtat të drejta që shoqërohen me martesën. 

Estonia bëhet kështu vendi i parë nga ish vendet e Bashkimin Sovietik që njeh ligjerisht familjet e gjinisë së njëjtë. Ligji i bashkëjetesës u jep gjithashtu të drejtën çifteve që të aplikojnë bashkarisht për të adoptuar fëmijë.

Monday, October 13, 2014

6 të rinj aktivistë dhe studentë vlerësohen për mbështetjen e Seminarit ndërkombëtar



13 Tetor 2014 - Gjashtë të rinj dhe të reja u çertifikuan në datën 6 Tetor nga Ambasada PINK për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në Seminarin Ndërkombëtar “I/E lirë për tu shprehur – të luftojmë fjalimet e urrejtjes homofobike dhe transfobike” zhvilluar në Tiranë në datat 25-27 Shtator nga rrejti ndërkombëatar i organizatave rinore LGBT, BABELNOR. 

I mirëpritur si aktivitet nga Ambasada PINK / LGBT Pro, seminari synoi të rriste kapacitetet e pjesëmarrësve për të gjetur mënyra si ti përgjigjen fjalimeve të urrejtjes të cilat përdoren shpesh kundër personave LGBT dhe grupeve të tjera vulnerabël. Ekspertë nga Këshilli i Europës zhvilluan trajnime për një njohje më të mirë të fjalimeve të urrejtjes dhe zhvillimin e kuadrit ligjor dhe mekanizmave në zgjidhjen e këtij fenomeni. 

Vullnetarët dhe pjesëmarrësit nga Shqipëria përfituan nga trajnimi dhe shkëmbimi me aktivistët duke i ndihmuar ata në njohjen e Tiranës, zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sociale dhe sensibilizuese në Tiranë dhe në lehtësimin e disa proceseve. 

Ambasada PINK i falenderoi pjesëmarrësit dhe vullnetarët nga Shqipëria duke qenë të ndërgjegjshëm se falë njohurive dhe eksperiencës së fituar këta të rinj do të jenë aleatë në rritjen e njohurive të publikut për tematikat LGBTI. 

Edhe një here skuadra e PINK falenderon Tea Hodaj, Denis Arapi, Xhuljana Çelaj, Elisa Xhafkollari, Iris Plangarica, Emi Lamllari, Eni Merepeza dhe Marsida Kacollja.

Tuesday, September 30, 2014

Zhvillohet në Tiranë seminari ndërkombëtar për të luftuar fjalimet e urrejtjes



Rrjeti BABELNOR solli në Tiranë 30 aktivistë të rinj dhe ekspertë nga e gjithë Europa

Tiranë – Aktivistë nga rrjeti i organizatave rinore, BABELNOR, u mblodhën për tre ditë në kryeqytetin shqiptar, për zhvillimin e seminarit ndërkombëtar “I/E lirë për tu shprehur – të luftojmë fjalimet e urrejtjes homofobike dhe transfobike”.

Seminari tre ditor, 25-27 Shtator, i cili u mirëprit nga Ambasada PINK / LGBT Pro, si anëtare e rrjetit BABELNOR, solli aktivistë nga Ballkani, Europa Lindore dhe Vendet Nordike.

Ceremonia e Seminarit u përshëndet nga Avokati i Popullit, Z. Igli Totozani, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Znj. Irma Baraku, përfaqëesuesja e Ministrisë së Mirëqenies dhe Rinisë, Znj. Enkelejda Lopari dhe dretuesja e Departamentit SOGIE, që punon për komunitetin LGBT pranë Këshillit të Europës në Strasburg Znj. Eleni Tsesekou. Në fjalën e saj, Znj. Tsesekou ftoi aktivistët e rinj ti përdorin mekanizmat e ofruara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të avancuar të drejtat e tyre dhe për të luftuar fjalimet e urrejtjes.

Ceremonia u pasurua më tej edhe me hapjen e Ekspozitës “Shija e Lirisë”, një koleksion fotografish nga momente të ndryshme demonstratash dhe protestash në Shqipëri dhe disa vende të Ballkanit gjatë viteve të fundit. Ekspozita u përshëndet nga Z. Yngve Enstroem, Shef i Bashkëpunimit pranë Komisionit Europian në Tiranë. Komisioni mbështeti realizimin e kësaj ekspozite, e cila shumë shpejt do të udhëtojë nëpër disa qytete të Shqipërisë, në kuadër të projektit “Përmirësimi i jetës së personave LGBT në nivel lokal”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 2 Tetor, pranë Bar PUR-PUR, tek hyrja e Liqenit Artificial në Tiranë.

Seminari synoi të riste kapacitetet e pjesëmarrësve për të gjetur mënyra si ti përgjigjen fjalimeve të urrejtjes e cila shpesh përdoret kundër personave LGBT dhe shumë grupeve të tjera vulnerabël. Ekspertë të Këshillit të Europës zhvilluan trajnime për një njohje më të mirë të fjalimeve të urrejtjes dhe zhvillimin e kuadrit ligjor dhe mekanizmave kundër këtij fenomeni.

Ndër aktivitetet më interesante të seminarit ishte realizimi i një grafiti “NO HATE” në Tiranë, përgatitja e një posteri në mbështetje të Paradës së Beogradit, që u zhvillua në 28 Shtator si dhe aksione të tjera ndërgjegjësuese nëpër qytet. Aktivistët ranë gjithashtu dakord për të implementuar dy aktivitete të tjera ndërgjegjësuese brenda muajit Nëntor nga vendet e tyre.

Fjalimet e urrejtjes janë një problem i madh në të gjithë Europën dhe shumë punë mbetet ende për të bërë. Përpjekjet e aktivistëve LGBT janë të shumta për t’ju kundër-përgjigjur këtij fenomeni në mediat tradicionale dhe të reja, rrugë, shkolla, lagje etj. Seminari synoi të identifikojë mënyra krijuese për ta luftuar fenomenin dhe për të ndryshuar perceptimet e shoqërisë mbi personat e komunitetit LGBTIQ.

--- --- ---- ---

Zhvillohet me sukses Parada e Beogradit

Pas 3 vitesh dështimesh të njëpasnjëshme, Serbia garanton të drejtën e mbledhjes së komunitetit LGBT

28 Shtator, Beograd – Edhe pse me rreth 7000 policë,  vëmendjen maksimale të Qeverisë, dhe rreth 50 kundër-protestuesve, Parada e Beogradit u zhvillua me sukses dhe mbi 1000 aktivistë LGBT dhe mbështetës të tyre marshuan përpara institucioneve kryesore të kryeqytetit dhe kërkuan më shumë respekt për të drejtat e këtij komuniteti.

Forcat e mbrojtjes së Paradës përbëheshin nga policia anti-protesta, forcat speciale, mjete të blinduara, kanone uji etj për tu përballur me një sulm eventual të grupeve të ekstremit të djathtë. Mbi 50 protestues anti-LGBT u arrestuan gjatë këtij marshimi.

Në marshim morrën pjesë shumë figura publike përfshi edhe Kryebashkiakun Sinisa Mali i cili u tha mediave se: “Beogradi është një qytet i lirë, çka do të thotë se i mirëpret të gjithë dhe të gjithë këtu janë të barabartë”.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçic e lejoi me hezitim zhvillimin e Paradës, ndërkohë që nuk kurseu qëndrimin e tij ndaj lidhjeve jo-heteroseksuale, duke dashur të sigurojë opinionin publik se ai nuk është pro këtij komuniteti.

Në fjalimin e tij për mediat u duk qartë pozicioni i Vuçic: “Asnjë xham nuk u thye sot dhe kjo i dedikohet forcave të sigurisë të cilat treguan se mund të garantojnë sigurinë. Shteti mund, duhet dhe di se si të respektojë Kushtetutën. Jemi gjithashtu mirënjohës për ata që mendojnë ndryshe, që përbëjnë maxhorancën dhe që vendosën të mos shkaktojnë incidente.”

“Ne nuk e kemi bërë këtë për të hyrë në BE, ose sepse respektojmë popullatën gay më shumë se sa kishën, por sepse respektojmë kushtetutën tonë dhe të drejtat e njeriut, edhe pse kjo nuk ka qenë diçka e lehtë apo në përputhje me bindjet tona personale.”

“Sot ne treguam se shteti mund të zbatojë ligjet dhe të garantojë të drejtat e çdokujt. Sot ne treguam se Serbia është një shtet serioz që garanton rendin publik”.

Pavarësisht deklaratës së Vuçic besohet gjerësisht se arsyeja kryesore e lejimit të Paradës ka qenë afrimi i mëtejshëm i vendit me BE-në dhe presioni i komunitetit ndërkombëtar që kanë kritikuar ashpër Serbinë për mos-lejimin për disa vite të zhillimit të këtij aktiviteti, duke përdorur sigurinë si justifikim.

Në vitin 2010, Parada LGBT u sulmua nga një grup shumë i madh ultra-nacionalistësh çka rezultoi në shkatërrimin e qendrës së Beogradit dhe lëndimin e mbi 150 personave.

Një natë më herët, në 27 Shtator, kundërshtarët e të drejtave LGBT protestuan në Beograd nën kushte të rrepta sigurie dhe praninë e një numri shumë të madh forcash të policisë.

Serbia, ashtu si një pjesë e vendeve të Ballkanit, njihen për homofobinë e lartë, e cila shpesh shkaktohet nga grupet konservatore fetare apo ato të ekstremit të djathtë. Pavarësisht popullaritetit të vogël të kësaj kauze në rajon, është shënuar një progres i madh në lidhje me përmirësimin e kuadrit ligjor që garanton mbrojtjen nga diskriminimi, marrjen e masave për implementimin e politikave pozitive dhe njohjen të problemeve dhe nevojave të komunitetit LGBT në këto vende.

Për shumë analistë të lëvizjes LGBT, besohet se zhvillimi me sukses i Paradës LGBT në Serbi do të përmirësojë edhe më tej klimën ndaj këtij komuniteti dhe do të rrisë njohjen e mëtejshme të të drejtave të tyre nga qytetarët e vendeve të rajonit.