Nga Peter Tatchell
“Ne duhet ti shfarrosim këta njerëz
(homoseksualët) me rrënjë dhe degë… Ne nuk mund të lejojmë një rrezik të tillë
për atdheun, homoseksuali duhet të eleminohet plotësisht”.
Këto ishin fjalët drithëruese
të shefit të SS-ve, Heinrich Himmler, i cili dizenjoi masteplanin për pastrimin
seksual të racës ariane.
Heinz F ishte një djalë
gay gjerman i shpenguar dhe energjik në Berlinin e fillimviteve 1930. Ai, si
shumë gjermanë të tjerë nuk kishte as më të voglën ide për ato që do të ndodhin
brenda pak vitesh. “Nuk e kisha kuptuar plotësisht situatën, “ pranon të thotë
ai me një farë pendese. Papritur, një mengjes policia trokiti në derën e tij.
“Dyshohet se ju jeni homoseksual. Për këtë arsye jeni i arrestuar”.
“E çfarë mund të bëja unë?
Më çuan në kampin e Dakaut, pa asnjë process gjyqësor” thotë ai në intervistën
për filmin dokumentar Neni 175 (Paragraph 175).
Pas një viti e gjysmë internimi në Dakau, Heinz u
lirua, por u arrestua sërish dhe këtë herë u çua në kampin Buksenvald. Atje ai
zbuloi fatin e tmerrshëm të meshkujve gei dhe biseksualë. “Pothuajse të gjithë
homoseksualët… gati të gjithë… ishin vrarë”.
Për mrekulli Heinz mbijetoi pas tetë vitesh e gjysëm
të kaluara nëpër kampe përqëndrimi. Pas luftës, ai nuk foli kurrë për
eksperiencën e tij. Frika e tij ishte se ish të burgosurit gei perceptoheshin
si kriminelë të zakonshëm dhe jo si viktima të nazizmit. Me lotë në sy ai thotë
se: “Askush nuk donte të dëgjonte”.
Deri në vitin 1933 jeta e tij ishte krejt ndryshe.
Berlini ishte kryeqyteti gei i botës, me një komunitet të madh, me bare dhe
klube nate. Kishte revista gej, organizata artistike dhe sportive për personat
gej si dhe organizata që punonin për më shumë të drejta dhe mirëkuptim të tyre.
Jeta në Berlin ishte e bukur – dhe duke u përmirësuar – për personat lesbike,
gej, biseksuale, transgjinore dhe interseks (LGBTI).
Edhe pse sipas nenit 175 të Kodit Penal gjerman
homoseksualiteti ishte i jashtëligjshëm, ai zbatohej shumë rrallë. Në Reichstag
(parlamentin gjerman) parlamentarët ishin afër anulimit të tij. Dukej sikur po
afrohej një erë e re lirie. Por në fakt ndodhën horroret e nazizmit.
Vetëm pak javë pas ardhjes në pushtet më 1933,
Hitleri i ndaloi ligjerisht organizatat dhe publikimet homoseksuale. Baret dhe
lokalet gej u mbyllën. Forcat policore shkatërruan zyrat e lëvizjes për të
drejtat gej, Institutin e Shkencave Seksuale dhe dogjën publikisht librarinë më
të madhe të kohës mbi çështjet seksuale Para fundit të vitit, homoseksualët e
parë u arrestuan dhe deportuan në kampet e reja të përqëndrimit.
Në vitin 1934, Nazistët intensifikuan fushatën e
tyre anti-gej me krijimin e Zyrës së Rajhut për të Luftuar Abortin dhe
Homoseksualitetin. Sipas Himlerit: “ata që praktikojnë homoseksualitetin, i
heqin Gjermanisë fëmijët të cilët i detyrohen… vendi ynë do të thërrmohet për
shkak të asaj sëmundje.” Policia u urdhërua të krijonte lista “pink” me persona
që dyshohej se ishin homoseksualë. Më pas ndodhën arrestime në masë.
Më tej në 1935 Nazistët vijuan me luftën kundër të
ashtuquajturës “ekzistencë anormale” duke e zgjeruar përkufizimin e
homoseksualitetit dhe argumentat për arrestim. Vetë thashethemet apo dyshimet për
dikë mjaftonin për ta arrestuar. Një mashkull mund të arrestohej si homoseksual
thjesht për një prekje, gjest apo shikim.
Më pas, Himleri autorizoi një program “shkencor” për
eleminimin e këtij vesi. Të burgosurit gej iu nënshktruan eksperimenteve mjekësore
në një përpjekje për të “kuruar” homoseksualitetin e tyre – përfshi trajtim
hormonal apo kastrimin.
Mendohet se në periudhën 1933-1945, 50.000 deri më
100.000 meshkuj u arrestuan për krimin e homoseksualitetit sipas nenit 175. Një
pjesë u nxorrën para gjykatave ndërsa të tjerët dërgoheshin menjëherë në kampet
e përqëndrimit pa asnjë proçes apo gjykim formal. Vdekjet e të burgosurve
homoseksualë shkonin deri në 50%, më i larti mes të burgosurve jo-hebrenj.
Të intervistuar për filmin Neni 175 ishin edhe
Heinz Dormer dhe Gad Beck. Dormer shpenzoi pothuajse dhjetë vjet nëpër burgje
dhe kampe përqëndrimi. Ai kujton qarjet e ankthshme nga “pylli që këndonte”, një
rrjesht i madh shtyllash ku burrat e dënuar varrëshin. “Të gjithë ata që dënoheshin
me vdekje varreshin aty. Qarjet dhe bërtitjet ishin jo-njerëzore… përtej botëkuptimit
njerëzor.”
“Homokausti” Nazist u përpoq të eleminonte tërrësisht
burrat gej dhe biseksualë. Ai ishte pjesë integrale e holokaustit. Përkundër
pretendimeve se persekutimi i hebrenjve ishte i veçantë dhe krejt i ndarë nga
viktimizimi i minoriteteve të tjera, vrasja në masë të hebrenjve ishin pjesë e
planit të Hitlerit për pastrimin racial dhe gjenetik të volkut gjerman. Nazistët planifikuan të eleminonin të gjithë ata që
konsideroheshin prej tyre si “inferiorë” - pra jo vetëm hebrenjtë, por
edhe personat gej, me aftësi të kufizuara, sllavë, romë, sinti etj.
Gad Beck mbante një peshë të dyfishtë. Ai ishte gej
dhe hebre. Ai kujton eksperiencën e tij të parë si adoleshent. “U ktheva në shtëpi
tek nëna ime dhe i thashë: “Mama sot pata eksperiencën time të parë me një
mashkull”. Për fat të mirë prindërit e pranuan homoseksualitetin e tij. Por ata
druheshin për sigurinë e tij dhe i patën thënë: “Zot i madh, gej dhe hebre.
Sidoqë të jetë ai do të persekutohet. Kjo nuk ka për të përfunduar mirë.”
Fatmirësisht Beck i mbijetoi luftës, ndërkohë që
pothuajse të gjithë personat përreth tij u zhdukën. Dy prej të dashurve të tij
u kapën nga Nazistët.
“Një herë takova një djalë hebre shumë të
bukur. Më ftoi të shtëpia e tij dhe kaluam natën bashkë. Në mëngjes erdhën
Gestapot… Unë u tregova kartën time të identitetit – nuk isha në listë. Atë e
morrën në Aushvic. Një natë dashurie kishte tjetër vlerë atëherë.”
Më vonë, Beck u përpoq të lironte një tjetër të
dashur, Manfred Lewin, nga një kamp i Gestapos. U paraqit atje si një antëar i
Rinisë Hitleriane dhe kërkoi lirimin e Manfredit për një projekt ndërtimi. Edhe
pse ky maskim shumë guximtar dhe i rrezikshëm pati sukses, teksa po ecnin të
lirë në rrugë, Manfred i tha Gadit se nuk mund ti braktiste të afërmit në kamp.
Beck pa se si i dashuri i tij u kthye në kamp për të qëndruar me ta. Nuk e pa më
Manfredin. Ai dhe gjithë familja e tij u vranë në Aushvic.
Tragjedi të tilla ishin të përditshme gjatë Rajhut
të Tretë dhe përsëriteshin çdo ditë kundër viktimave gej dhe jo-gej të
Nazizmit. Por për personat gej trauma ishte shpesh më komplekse për shkak se
shumë prej tyre vuanin në vetmi, të refuzuar nga familjet, të persekutuar nga
Nazistët dhe të poshtëruar nga të burgosurit e tjerë nëpër kampet e përqëndrimit.
Nuk është çudi që nga ata pak të mbijetuar
homoseksualë të holokaustit, kishte edhe shumë më pak që vendosën të flasin pas
luftës. Neni 175 mbeti ligj edhe pas vitit 1945. Homoseksualiteti vazhdoi të
ishte krim në Gjermaninë Lindore deri më 1968 dhe në Gjermaninë Perëndimore
deri më 1969.
--- --- ---
Për më shumë informacion mbi fushatat e Peter
Tatchell, për të marë buletinet e tij informuese apo për të bërë një donacion
vizitoni faqen: www.PeterTatchellFoundation.org
© Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ky material
është përkthyer dhe botuar në shqip me autorizim të autorit. Përktheu në shqip,
Amarildo Fecanji. Tiranë 2015
No comments:
Post a Comment