Prishtinë - Qendra për Emancipim
Shoqëror - QESh me keqardhje është informuar nga mediet e shkruara se një
udhëheqës e i një bashkësie fetare në Kosovë (z. Femi Cakolli) ka bërë një
deklaratë kundër komunitetit të personave lesbike, gej, biseksualë dhe
transgjinorë (LGBT) të Kosovës përmes nxitjes së urrejtjes, fyerjes, dhe
denigrimit njerëzor.
QESh dënon këto lloj deklaratash, pa
marrë parasysh se nga cili udhëheqës ato vijnë. Ato në rend të parë janë
deklarata anti-kushtetuese dhe nuk janë në përputhje me të drejtat e njeriut,
harmoninë ndërnjerëzore, dhe me mesazhet që bashkësitë fetare kanë për detyrë
të përçojnë për paqe, dashuri dhe respekt të ndërsjellë.
Kemi për detyrë t’i kujtojmë publikut
se Kosova qeveriset nga një Kushtetutë moderne, dhe se Kosova është dhe do të
mbetet shtet laik; politikat dhe qeverisja nuk bëhen nga grupet fetare.
Pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë
nuk i përkasin vetëm një religjioni, por ata vijnë nga çdo komunitet fetar në
Kosovë. QESh ashtu siç përkushtohet për të drejta të plota të komunitetit LGBT,
promovon liritë dhe barazitë e çdo qytetari të Kosovës.
Me këtë deklaratë, z. Cakolli ka bërë
shkelje të rëndë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit në të cilin ai jeton -
pra nxitje të urrejtjes, përmes abuzimit të lirisë së shprehjes.
Për fund, QESh dëshiron t’i bëjë
thirrje qeverisë së Kosovës që të persekutojë nxitjen e urrejtjes, dhe në të
njëjtën kohë QESh i bënë thirrje publikut të mos bie pre e nxitjeve dhe
thirrjeve nga grupe të ndryshme fetare për urrejtje, ndërsa nga z. Cakolli të
reflektojë mbi mesazhet dhe punën për të cilat ai pretendon se është i thirrur
ta bëjë.