Wednesday, March 19, 2014

Politika përfshirëse dhe mos-diskriminuese për personat LGBT

Viti 2014 parashtron për lëvizjen LGBT një sërë objektivash dhe përparësish të cilat burojnë nga nevojat aktuale të komunitetit, arritjet e bëra deri tani dhe punët e planifikuara për këtë vit. Për këtë qëllim Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipëri dhe Zyra e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi organizuan në fillim të këtij viti workshopin “Politika përfshirëse dhe mos-diskriminuese për personat LGBT”, i cili kishte për qëllim të bënte një prezantim të politikave përfshirëse dhe mos-diskriminuese ndaj personave LGBT në vend dhe praktikave më të mira të zbatuara.

Në takim mori pjesë edhe Avokati i Popullit, zv.Ministrja e Punëve të Brendshme, përfaqësues nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Integrimit, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Bashkisë Tiranë, përfaqësues të organizatave lokale dhe ndërkombëtare, trupit diplomatik në vend, media, etj.

Takimi u hap nga Moderatori z. Altin Hazizaj i cili tha se nga insitucionet publike dhe ato të pavarura pritet që viti 2014 të hapë një faqe të re përsa i përket respektimit dhe garantimit të të drejtave të komunitetit LGBT në vend. Një plan aktivitetesh i dizenjuar dhe zbatuar bashkarisht do të ishte i mirëpritur. Ai tha se edhe pse Shqipëria sot renditet ndër vendet e para në rajon përsa i përket respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT ende mbetet shumë për tu bërë. Organizimi i Paradës do të jetë një ndër prioritet e punës së PE për vitin 2014 dhe për këtë duhet bashkëpunimi dhe mbështetja e të gjithë aktorëve.

Znj. Irma Baraku, Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në fjalën e saj përmendi punën që ky institucion ka bërë në mbrojtje të komunitetit LGBT nga diskriminimi. Ajo tha se Institucioni ka trajtuar 7 çështje diskriminimi ndaj komunitetit LGBT, në 3 raste shkelësit janë sanksionuar me gjobë dhe në 4 raste të tjera me rekomandime. Aktualisht në kuadër të raportit të përgjithshëm vjetor që zyra harton është duke u punuar edhe për raportin për situatën e komunitetit LGBT, raport i cili do i çohet edhe Parlamentit. Ajo u shpreh se janë bërë disa rekomandime për ndryshime në Kodin e Punës, Kodin Penal, Kodin e Familjes në favor të komunitetit LGBT, jo të gjitha janë marr parasysh por rekomanime do vazhdojnë të bëhen edhe këtë vit. Ajo tha se në vijim do ti jepet rëndësi edhe adrresimit të ankesave tek KMD nga qytetarët dhe të gjitha komunitetet.

Etleva Sheshi, përfaqsuese e MMSR tha se janë bërë hapa pozitivë në drejtim të mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të Komunitetit LGBT në vend. Është hartuar Plani i Masave kundër
diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor 2012-2014,
i cili udhëhiqet nga MMSR por kanë rol kryesor në zbatimin e tij edhe ministritë, insitucionet e pavaruara dhe OJF-të. Sipas znj. Sheshi, një ndër prioritet e MMSR për vitin 2014 është edhe zbatimi i planit të masave. Ministria ka parashikuar gjithashtu disa ndryshime dhe përshtatje të legjislacionit në fuqi, janë bërë disa rekomandime për ndryshime në kodin e punës dhe atë të familjes. Gjithashtu Ministria është e hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët që do të bënin të mundur trajnimin e stafit që është në kontakt direkt me komunitetin (administratorët socialë dhe punonjësit e zyrave rajonale të punës) dhe për ekspertizë nga modelet pozitive të vendeve të tjera. Ende mbetet sfidë për Shqipërinë sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë sonë për çështjet LGBT dhe ministria do vazhdojë punën për të bërë të mundur këtë ndërgjegjësim. Ajo tha se është duke u pergatitur një plan shtetëror për përmbushjen e rekomandimit 5 të BE për Shqipërinë.

z. Igli Totozani, Avokati i popullit tha se ajo çka vërehet sot në shoqërinë shqiptare është diskriminimi dhe paragjykimi ndaj komunitetit LGBT dhe se institucioni i AP ka qenë dhe vazhdon të qëndrojë në krah të këtij komuniteti. Ai përmendi punën që AP ka bërë në këtë drejtim si, përgatitja e rekomandimeve për ish-ministrinë e Punës për futjen e orientimit seksual dhe identitetit gjinor si shkak për diskriminim në Kodin e Punës, propozim i cili është pranuar dhe shpresohet që të përfshihen në ndryshimet e Kodit. Gjithashtu AP i propozoi Ministrisë së Drejtësisë ndryshime në Kodin Penal, futjen e orientimit seksual tek rrethanat rënduese, ndryshim i cili u miratua dhe ka hyrë në fuqi. Janë bërë disa propozime tek Ministria e Arsimit për ndryshime në tekstet shkollore, janë propozuar ndryshime edhe në Kodin e Familjes për legalizimin e bashkëjetesës mes personave të të njëjtit seks. Ai tha se pavarësisht këtyre ende ngelet shumë për tu bërë, duhet të punojmë të gjithë së bashku për të përfaqësuar interesat e këtij komuniteti.

Më pas z. Artan Karoli, drejtues i Ambasadës PINK bëri një prezantim të broshurës informuese përgatitur nga organizata, qëllimi i së cilës është ndërgjegjësimi i zyrtarëve publikë për terminologjinë dhe çështjet LGBT. Kjo broshurë e parë e këtij lloji për zyrtarët publikë do të shpërndahet në të gjitha institucionet shtetërore.

Znj. Elona Gjebrea, zv Ministre e Punëve Publike, në fjalën e saj shprehu angazhimin personal dhe institucional në mbrojtje të të drejtave të njeriut në vend dhe komunitetit LGBT. Ajo tha se janë shumë të rëndësishme debatet e hapura në nivel lokal për ndërgjegjësimin e publikut dhe shoqërisë.

Pjesa e dytë e takimit, u përqëndrua në diskutime të hapura mes pjesmarrësve dhe konkludoi në një sërë rekomandimesh të cilat duhet të mbahen parasysh nga të gjithë aktorët për iniciativa të përbashkëta përgjatë vitit 2014, në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të personave LGBT në vend. Përfaqësues të KMD, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, MMSR dhe organizatave të shoqërisë civile morën fjalën duke bërë sugjerime e rekomandime.

Disa nga rekomandimet kryesore që dolën nga ky ëorkshop janë:

Të ndërgjegjësohen dhe trajnohen stafet mësimore për të qenë dashamirës ndaj çdo komuniteti të margjinalizuar;
- Të rishikohen Kurrikulat mësimore për shmangien e programeve diskriminuese;
- Të parashikohen orë të hapura ose ekstra-kurrikulare në shkolla për ndërgjegjësimin e nxënëësve kundër diskriminimit;
- Të ndërgjegjësohen studentët dhe pedagogët e arsimit universitar;
- Të ndërgjegjësohen dhe fuqizohen prindërit e personave LGBT;
Ministria e Rendit dhe Ministria e Mbrojtjes të hartojnë politika të brendshme për mbrojtjen e personave LGBT;
- Të krijohet Rrjeti  i aktorëve (insitucione shtetërore + OJF) në mbështetje të personave LGBT;
- Të përcaktohen Pikat Fokale në çdo ministri që do të mbulojnë çështjet LGBT;
- Komisioni Kombëtar i Ndihmës Juridike të përfshihet në tryezat e diskutimit për problemet që hasin personat LGBT;
Të vendosen standarte për kurrikulat /edukimin shëndetësor në shkolla;
- Mjekët e shkollave të jenë pjesë e diskutimeve, prezantimeve me nxënësit, në mbështetje të personave LGBT;
- Të forcohet bashkëpunimi me Kuvendin e Shqipërisë dhe të avokohet për miratimin e ndryshimeve legjislative të propozuara;
- Të trajnohen në vazhdimësi stafet e insitucioneve publike dhe atyre jo-publike si edhe bizneseve për mosdiskriminimin dhe të drejtat e personave LGBT;
- Të ofrohet ekspertizë nga vendet me eksperiencë pozitive në drejtim të respektimit të të drejtave të personave LGBT, për zyrtarët publikë;
- Të ndërmerren fushata ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese për publikun e gjerë në nivel kombëtar;

Monday, March 17, 2014

Ligj i ri i BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale: Europarlamentarët duan të mbrohet privatësia e personave LGBT

Parlamenti Europian ka miratuar dy ligje të reja për të reformuar mbrojtjen e të dhënave në Bashkimin Europian.

Deri më tani, BE-ja e ka rregulluar mbrojtjen e të dhënave nëpërmjet një direktive të vitit 1995, të papërshtatur mirë me gjithë praninë moderne të të dhënave personale. Komisioni Europian propozoi një kornizë të re të BE-së në formën e dy teksteve ligjore: një udhëzim dhe një rregullore.

Parlamenti Europian miratoi disa ndryshime në këto dy propozime. Ato përfshijnë masa për mbrojtjen e informacionit privat në lidhje me orientimin seksual dhe identitetin gjinor të personave.

Eurodeputetët specifikuan se "përpunimi i të dhënave personale, duke zbuluar racën apo origjinën etnike, mendimet politike, fenë ose bindjet filozofike, orientimin seksual apo identitetin gjinor [...] duhet të ndalohen" (neni 9 i rregullores). Janë parashikuar edhe përjashtime të ngushta.

Rregullat e reja të miratuara sot shtojnë profilizimin, për shembull klasifikimin e individëve në bazë të karakteristikave të tyre personale, "duhet të ndalohet" kur ai "ka efektin e diskriminimit kundër individëve në bazë të racës apo origjinës etnike, mendimit politik, fesë apo besimeve, anëtarësisë në sindikata, orientimit seksual ose identitetit gjinor " (neni 20 në rregullore).

Jan Albrecht, Euro Deputet, anëtar i LGBT intergrup dhe autor i rezolutës së miratuar, ka sqaruar se "Karta e të Drejtave Themelore në mënyrë të qartë përcakton të drejtën e individëve për të patur të dhënat e tyre personale të mbrojtura, dhe kjo rregullore e re garanton pikërisht këtë gjë."

"Është e një rëndësie të veçantë që individët të mos shohin karakteristikat e tyre personale të përdorura kundër vullnetit të tyre - duke përfshirë edhe orientimin seksual e identitetin gjinor."

Sirpa Pietikäinen EuroDeputet, Zv.President i LGBT intergrup dhe zëdhënës i ALDE në këtë rezolutë, shtoi: "Unë jam jashtëzakonisht i lumtur që këto rregulla të reja në mënyrë eksplicite përmendin orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Qeveritë kombëtare tani duhet të ndjekin shembullin e Parlamentit, dhe të tregojnë se sa i vlerësojnë të dhënat personale të qytetarëve të tyre. "

Këshilli i Bashkimit Europian, duke mbledhur 28 qeveritë kombëtare të BE-së, duhet tani të miratojë ndryshimet e veta tek propozimet.